Erkand Qerimaj flet pas botërorit të shtangës

schedule19:50 - 4 Dhjetor, 2017

schedule 19:50 - 4 Dhjetor, 2017

Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj, flet për garën e tij në Botëror dhe shkaqet që e detyruan të humbiste medaljen. Ai dhe trajneri i tij, Zef Kovaçi, patën kritika për kushtet në të cilat punojnë në Shqipëri.

I pari në atdhe mbërriti ish-kampioni i Europës.
Erkand Qerimaj nuk mundi të realizonte kthimin triumfal si pas titullit europian, apo medaljeve të shumta, por gjithsesi ishte krenar për atë që arriti në Botërorin e peshëngritjes në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në peshën deri 77 kg.

“Dola në vendin e 4 në botë në stilin e shkëputjes dhe në vend të 6 në dygarësh. Normalisht rezultati ëeshtë i mirë, por ne nuk jemi të kënaqur sepse duke pasur parasysh pritshmërinë nga rezultati në stervitje, duhet të ishim në zonën e medaljes, pasi rezultati im më i mirë është 196 kg, i cili më bëri kampion bote në stilin e shtytjes”.

Fituesi i dhjetëra medaljeve botërore, europiane apo mesdhetare, kampion i Europës për të rinj e për të rritur, si dhe kampion i Mesdheut, tregoi vështirësitë që pati.

“Kisha disa bllokime muskulore që nuk kishim si të bënim ndryshe dhe u detyruam të shkonim tek disa mjekë shumë të mirë amerikanë, por që normalisht ajo nuk duhet bërë përpara gare me ato masazhe që më lironi shumë muskujt. Normalisht sikur të kishim pasur një fizioterapist tonin, nuk do të kishte lejuar ti bënim këto sepse do i kishim bërë që më përpara. Por ky nuk ishte vetëm problem im sepse edhe sportisti tjetër pati një problem mjekësor, i cili shkoi në spital dhe u diagnostikua me dehidratim”.

Edhe më i drejtpërdrejtë se sportisti i tij u tregua trajneri Zef Kovaçi, i cili foli për kushtet në të cilat punojnë, ndërsa u tregua skeptik për të ardhmen e peshëngritjes në Shqipëri.

“Duhet të dini që ne kemi 2-3 muaj që dalim nga palestra, kalojmë shkollën dhe shkojmë në një banjo klubi për të urinuar ose për të lareë gishtat. 3 javët e fundit kemi qenë shumë mirë, por për 3 javë nuk kapen këto. Është një, siç e ka thënë dhe Kryeministri në fusha të tjera, rrumpallë. Ne kemi 41 orë që jemi nisur nga vendi për të ardhur këtu. Duhet të ndryshojnë ca gjera, duhet të vendosen ca pika mbi i”.

Objektivi i radhës për Qerimajn dhe trajnerin e tij është kampionati europian i vitit të ardhshëm, që zhvillohet nga 23 mars deri në 1 prill pikërisht në Tiranë.
Peshëngritësi shkodran synon të dalë sërish kampion i Europës./abcnews.al