Besnik Tahiri është ministri i ri i Jashtëm i Kosovës. Qeveria në detyrë ka emëruar zëvendëskryeministrin Tahiri në pozitën e Ministrit së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas dorëheqjes së Meliza Haradinajt-Stubllës.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka emëruar ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zv. Kryeministrin e parë, z. Besnik Tahiri. Ky emërim vjen pas dorëheqjes së ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Meliza Haradinaj-Stublla, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e kryediplomates dhe gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Dorëheqja e saj vjen pas publikimit të një video-incizimi në media, ku pretendohet se burri i saj, Dardan Stublla, i ka blerë asaj votat.