Vrasja e Kujtim Donajt në pazarin e Milotit nga bashkëshortja e tij nuk ka ende shkaqe të plota. Familjet respektive të autores dhe viktimës nuk ishin në dijeni të ndonjë situate që kishte çifti, kurse Violeta Donaj e penduar për atë çfarë ka bërë është në gjendje shoku.
Në familjen e Kujtim Donajt në Mirditë janë hapur dyert e mortit, por askush nuk di të tregojë se çfarë ndodhi midis çiftit që përfundoi deri në vrasjen e djalit të tyre.
Ata fajësojnë njeriun që i dha armën gruas dhe këtë e kërkojnë qoftë nga policia, por edhe privatisht. ABC News ishte në shtëpinë e tyre, aty ku njerëzit hyjnë e dalin për ngushëllim.
Djali i tyre u ekzekutua mëngjesin e së dielës nga bashkëshortja Violeta.
42 vjeçari ishte tregtar në tregun e Milotit dhe sapo kishte mbërritur aty kur gruaja e tij 35 vjeçe shkoi me armë dhe e ekzekutoi me 4 plumba.
Nga të dhënat e deritnashme thonë se mes çiftit ka patur probleme, dhe një javë më parë është diskutuar edhe divorci.
Në dëshminë e saj autorja ka akuzuar burrin e vrarë për alkool dhe bixhoz, kurse familjarët e viktimës nuk duan të thonë asgjë rreth asaj çfarë ka ndodhur.
Gjatë marrjes në pyetje vetë autorja e krimit Violeta është shfaqur e penduar. Nëna e dy fëmijëve ka thënë se nuk duhej ta bënte këtë akt, por as vete nuk e ka kuptuar se si shkoi deri aty. Midis çiftit ka patur edhe probleme të xhelozisë.
Edhe familja e autores është e tronditur. Vajza e tyre ishte nisur për në pazar krejt normalisht dhe me vete kishte marrë edhe kunatën. Nuk kanë konstatuar asgjë të pazakontë tek Violeta Donaj, ndërsa kishte lënë djalin tek shtëpia e prindërve.
Gazetar i ABC News, Lezhë: Gjergj Figuri