Egnatia bashkohet me “zotat”, bëhet skuadra e 10-të që fiton titullin e Superiores

schedule12:56 - 27 Maj, 2024

schedule 12:56 - 27 Maj, 2024

Ndoshta askush as nuk do të kishte ëndërruar. Padyshim që nuk mund të jetë ndryshe kur bëhet fjalë që një skuadër jetë e mot në kategoritë inferiore, që i përket një qyteze me jo më shumë se 7 apo 8 mijë banorë, dhe që shpallet kampion. Këtë e arriti Egnatia, ekipi i qytetit që zë vetëm një të tretën e arenës “Air Albania”, ku u luajt finalja për titull.

Me këtë sukses, të besuarit e trajnerit Edlir Tetova dhe të presidentit Agim Demrozi jo vetëm që hynë në histori, por edhe e ngjitën emrin e Egnatias në Olimpin e futbollit shqiptar, në krah të kampionëve të mëparshëm. Tashmë, janë 10 ekipe që kanë shkruar emrin në librin e trofeve në Superligë, bashkë me epokën kur quhej Kategoria e Parë.

Natyrisht, askush nuk mund të krahasohet me Tiranën. Mbretëresha e futbollit shqiptar ka 26 tituj, një legjendë që nis që në vitet 30-të, vazhdoi në vitet 60-të, 80-të, e pastaj nga vitet 90-të e deri në 2022, kur mori kupën e fundit.

Dinamo e ndjek me 18 kampionate, një skuadër që shkëlqeu sidomos deri në vitin 1990, por që pati disa tituj edhe më pas. Partizani, kampioni i sezonit të kaluar dhe që cilësohej favorit edhe këtë herë, nuk e mbërriti dot “Nëndetësen”. Të kuqtë mbeten me 17.

Pas treshes së madhe të kryeqytetit vjen Vllaznia, skuadra e qytetit që cilësohet si “djepi i futbollit shqiptar”, aty ku nisi kjo lojë. Në Shkodër, titulli ka shkuar 9 herë, ndonëse shumica e pamjeve janë bardhezi, dhe për herë të fundit është triumfuar në 2001.

Skënderbeu u bë I famshëm pas vitit 2010, ndërsa është kampionia e dytë në histori në vend, me titullin e fituar në 1933. Në total, korçarët kanë 8 trofe, bashkë me atë të vitit 2016, kur fillimisht iu hoq dhe pastaj iu dha nga UEFA.

Shqipëria ka edhe disa kampione të tjera si Teuta që ka fituar dy tituj, dhe po ashtu Elbasani, dikur me emrin Labinoti. Me nga një kampionat janë Flamurtari i madh që ia doli vetëm në 1991, në mbyllje të ciklit të Vasil Rucit e Sokol Kushtës me shokë, Kukësi në 2017 me trajner Ernest Gjokën, dhe tashmë Egnatia e Rrogozhinës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!