Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në lagjen “Ilira” në Shkodër, ku jetojnë disa familje të komunitetit rom, ku si pasojë e flakëve që përfshiu njërën nga barakat, ka humbur jetën një e mitur 13-vjeçe. Ngjarja e rëndë ndodhi në momentin e zjarrit vajza ishte në gjumë. Të afërmit rrëfejnë se 13 vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit mendor.
“E kemi pas të shtëpia e fëmijës, e kemi pas edhe në Tiranë. Po shkuam e morëm para vitit të ri që të festonte me familjen. Ajo ka pas probleme mendore, ka qenë gjyshja e vet që ka ndezur zjarrin në barake. Edhe kjo ka qenë në gjumë. Në momentin që është ndez zjarri ka shkuar në banjë, kur ka dal ka pa flakën. Vajza ka qenë në gjumë. Unë i kam njerëzit e gruas,” ka thënë i afërmi i të miturës.
Të mbetur në qiell të hapur, këta njerëz kërkojnë ndihmë që ngjarje të tilla mos të përsëriten.
“Vit për vit ne digjemi, se si do na vejë puna unë nuk e di.U dogj në orën 6:30 ne ishim duke pirë kafe, dhe pa flakën plaku e tha dilni jashtë se u dogjëm, e nuk kam nxjerrë asgjë”, është shprehur një tjetër banore të cilës i është djegur banesa këtë të martë.
Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë pakujdesia. Mësohet se gjyshja e vajzës ka ndezur një zjarr për t’u ngrohur.. Për të bërë shuarjen e zjarrit, në vendngjarje u angazhuan forca të shumta zjarrëfikëse.
Ndërkohë një tjetër banor thekson se në momentin e zjarrit ka qenë në gjumë. “Unë isha në gjumë sdhe dola jashtë sapo pashë flakën, nuk kam mundur dot që të marr dot asnjë rrobë. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt.”
Si pasojë e zjarrit, mësohet se jane shkrumbuar 3 baraka të komunitetit rom. Të ndihmuar nga materiali prej së cilës ishin ndërtuar këto banesa të vjetra, zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka djegur gjithçka. /abcnews.al