Ish-ministri arrestohet për ngacmim seksual

schedule13:59 - 13 Gusht, 2020

schedule 13:59 - 13 Gusht, 2020

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliç, është përfshirë përsëri në një skandal seksual. Kësaj radhe, derisa ishte në vendin e tij të punës në Spitalin e Pejës, ai po dyshohet se ka ngacmuar një 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në spital me vajzën e saj.

Një nënë 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Pejës, është ankuar se është sulmuar seksualisht nga mjeku i këtij spitali, Numan Baliç.

“Ka hyrë në repart, gruaja e ka pasur vajzën që 16 ditë. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prek në trup. Ajo e ka thirrur sigurimin dhe policinë”, thanë burime nga policia e Kosovës për Express.

Këtë rast e konfirmuar edhe Prokuroria e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe policia në raportin 24-orësh.

“SULM SEKSUAL-Rr. Nëna Terezë, Pejë 12.08.2020-22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në raportin e policisë.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Baliq ishte suspenduar nga puna, për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë për ngacmimi seksual.