Edhe këtë të enjte pritet një përballje mes zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare dhe protestës së thirrur nga opozita.
Ndërsa hyn në javën e gjashtë sezoni i protestave të thirrura nga opozita, edhe kjo e enjte parlamentare pritet të shohë një përsëritje të binomit protestë – parlament.
Produkt i vendimit të kryesisë së Partisë Demokratike e cila prej javësh ka votuar moton: “Kur ka parlament, ka protestë” e tillë pritet edhe e enjtja e 28 marsit.
Kuvendi me urdhër të kryetarit Gramoz Ruçi do të mblidhet paraditen e së enjtes për të diskutuar rreth rendit të ditës, pjesë e të cilit janë ndryshimet në ligjin për vettingun në polici, si dhe një ratifikim marrëveshjeje financimi.
Njëkohësisht pritet e shtata protestë radhazi e thirrur nga opozita e bashkuar, pozicionuar pikërisht përballë godinës së seancave plenare, ku prej javësh përsëritet skenari.
E enjtja pritet të shohë edhe një shtim të numrit të deputetëve të opozitës, të refuzuar nga partitë që i kanë kandiduar, por të mbështetur nga mazhoranca e cila është në kërkim të opozitës parlamentare, për të mundësuar atë që socialistët prej javësh provojnë të tregojnë: normalitet në sallën e parlamentit dhe punimet e Kuvendit. /abcnews.al

