Kryeministri Rama, gjatë fjalës së mbajtur në 35-vjetorin e themelimit të PS, u ndal te rrugëtimi i tij politik, gabimet e bëra ndër vite dhe arritjet që, sipas tij, janë realizuar së bashku me Partinë Socialiste.
Në fjalën e tij, Rama tha se nuk pretendon të ketë qenë i pagabueshëm dhe pranoi se gjatë ushtrimit të detyrave të tij mund të ketë gabuar.
Kryeministri u shpreh se ndihet krenar për kontributin e dhënë në drejtimin e Partisë Socialiste, duke theksuar se i ka kushtuar asaj të gjithë energjinë dhe angazhimin e tij.
“Sot nuk harrohet asnjë nga veteranët e luftës, që u bënë krah i fortë.
Nuk krenohem para jush se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në hak askujt. Kam gabuar jo një herë dhe, pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë ta kem bërë pa qëllim.
Krenohem se i kam dhënë PS-së pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider dhe së bashku me PS-në ia kemi ngritur kokën Shqipërisë. Sot, kudo qoftë, e thotë pa asnjë siklet: jam shqiptar dhe jam krenar se ne dhe askush tjetër do ta çojmë Shqipërinë në majën ku dielli lind andej nga perëndon.
E di shumë më mirë se çfarë nuk shkon në këtë Shqipëri që kemi ndërtuar me mund. Ma kërkon detyra dhe ma imponon respekti që kam për të gjithë ata që më kanë besuar këtë detyrë për 4 mandate.”



