E ardhmja e Memës te Tirana, gjithçka në dorë të Refik Halilit

schedule12:46 - 24 Tetor, 2019

schedule 12:46 - 24 Tetor, 2019

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ndodhet në pozita të vështira pas humbjes në Superiore me Bylisin. Klubi kryeqytetas është i pakënaqur nga rezultatet, por shkarkimi pengohet nga aspekti financiar.

Në diskutim ka qenë të paktën që prej javës së dytë. Ardian Mema dhe presioni për t’u shkarkuar mbetet një binom i pandarë, gjendje që duket se do të marrë fund me vendimin që pritet nga presidenti Refik Halili.

Humbja në fushën e Bylisit e rëndoi edhe më shumë situatën dhe burime në klubin bardheblu bëjnë me dijë për Abc News se po mendohet që trajneri të zëvendësohet nga Bledar Devolli, drejtuesi i Tiranës U19, dhe ish-trajner i Kastriotit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.

Përpara emrit të Devollit, te kryeqytetasit u diskutua kandidatura e Julian Ahmatajt, ish-trajner i Luftëtarit vjet dhe po ashtu ish-teknik i Kamzës dy edicione më parë. Sipas burimeve në klub, Mema nuk është shkarkuar së pari për shkaqe financiare, pasi presidenti do të ishte i detyruar ta paguante sipas kontratës, diçka jo e lehtë për vetë situatën e borxheve që ka Tirana.

Pozitat e trajnerit u forcuan në javët e para të Superiores, kur u arritën tri fitore në 4 ndeshje. Gjithçka nisi të përkeqësohej me humbjet ndaj Kukësit e Partizanit, po ashtu edhe nga barazimi në Vlorë me Flamurtarin.

Madje, burimet në klub shprehen se Mema u largua pas disfatës në derbi dhe ishte vetë presidenti Halili që i shkoi në shtëpi duke e ftuar që të kthehej. Tirana vazhdimisht ka pasur paqëndrueshmëri me stolin dhe që nga viti 2015-të në detyrë kanë qenë 4 trajnerë.

Ilir Daja u shkarkua në nëntor 2016, pas një viti në detyrë. Pasardhësi i tij, Mirel Josa, u largua në fund të sezonit, kur ekipi ra nga Superiorja. Në vend të tij erdhi në qershor 2016 braziliani Ze Maria, që drejtoi bardheblutë në Kategorinë e Parë, por u largua në tetorin e vitit të kaluar, i zëvendësuar pikërisht nga Mema. /ABC NEWS 24/7