Dyshohet për pazare droge, kush është i plagosuri në Fier që po mundohet të mbulojë ngjarjen

schedule10:36 - 1 Gusht, 2020

schedule 10:36 - 1 Gusht, 2020

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesnate në Fier. Rreth orës 00:30, në lagjen Mbrostar-Ferko, Fier, është plagosur me armë zjarri në banesën e tezes së tij, një 50-vjeçar.

Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për Nihat Xhaferrajn, banues në Vlorë, i cili është lënduar në krah.

Gazetarja e Abc News Valbona Davidhi raporton se deri më tani policia nuk ka pasur asnjë akses në lidhje me identitetin e autorëve ndërsa ende  nuk dihen as motivet e ngjarjes.

Siç raporton ajo, vetë i plagosuri ka deklaruar se nuk e di arsyen se pse është qëlluar.

“Ngjarja duket se po mbulohet me atë që quhet terr informativ . Qoftë nga policia apo edhe nga i lënduari në këtë rast. Që mesa duket ka edhe edhe policinë në krah të tij, në lidhje me mbulimin e informacionit,” raporton Davidhi.

Mësohet se kur shkoi në spital i lënduar në krah, Xhaferraj nuk ka deklaruar emrin e tij të vërtetë. Por edhe punonjësit në spitalin e Fierit kanë shënuar në regjistrin e urgjencave vetëm diagnozën, “plagë me armë zjarri.”

Në momentin kur u qëllua, 50-vjeçari ka qenë në banesën e tezes së tij, ndërsa nuk dihet nëse ka ndodhur në mjediset e brendshme apo të jashtë të banesës. Edhe rrethanat mbeten ende të paqarta.

Policia ka sqaruar në mënyrë indirekte se bëhet fjalë për disa persona. Kjo pasi flitet për një makinë të djegur që është braktisur pak minuta pas ngjarjes. Pra duket se janë disa autorë.

Sipas gazetares, burime jozyrtare thonë se paraprakisht mendohet se bëhet fjalë për pazare droge. /abcnews.al/