Durrës, doganat bllokojnë 6100 koli cigare kontrabandë

schedule19:01 - 7 Nëntor, 2017

schedule 19:01 - 7 Nëntor, 2017

6100 koli me cigare janë bllokuar në Portin e Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që njofton se bllokimi është bërë mbrëmjen e së hënës, pas një hetimi të nisur në 30 tetor të këtij viti, bazuar në informacionet e marra nga strukturat inteligjente të partnerëve ndërkombëtarë. Pas verifikimit të elementëve të sigurisë së 5 konteinerëve,- thuhet në njoftimin e doganave- rezultoi se plumbçet e tyre ishin origjinale dhe të padëmtuara. Në total, tek të pestë kontenierët ndodheshin 6100 koli ose 3 milionë 50 mijë paketa cigare, sasi e njëjtë me ate të pasqyruar tek dokumenti i transportit i paraqitur në doganë.
Duke iu referuar dosjes së të dhënave të disponueshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlera e 6100 kolive cigare, është rreth 610 mijë euro, kurse shuma e detyrimit doganor të llogaritur për këtë sasi cigaresh, është rreth 428 milionë lekë. Në njoftim theksohet se paketat e cigareve ishin të papajisura me pulla fiskale. Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë referuar materialin në Prokurorinë e Durrësit dhe kanë marrë të gjitha masat për sekuestrimin dhe konfiskimin e këtij malli të paligjshëm, i cili mendohej se do të kalonte për përdorim ilegal në tregjet europiane./abcnews