Dueli ndaj Bylis, Egbo: Ndodhi ajo që kishim frikë, i kam kërkuar diçka djemve

schedule15:34 - 2 Qershor, 2020

schedule 15:34 - 2 Qershor, 2020

Tirana ishte bërë gati për rifillimin e Superiores dhe duelin e nesërm në Ballsh. Megjithatë, infektimi i Qardakut të Bylis ka shkaktuar panik dhe shumë pasiguri. Akoma nuk është marrë një vendim nëse do të luhet ndeshja e nesërme.

Diçka e tillë do të ndodhë pasi të dalin përgjigjet e testeve, të cilave u janë nënshtruar lojtarët e dy skuadrave. Emmanuel Egbo ka dalë në konferencë për shtyp, duke u ndalur te situata, gara për titull dhe gjendja e djemve të tij.

SITUATA – “Po presim vendimin e Federatës për ndeshjen e nesërme. I janë bërë teste të gjithë ekipit, më pas do të shikojmë si do të veprojmë. Kështu që presim deri në momentin e daljes së rezultateve. Edhe lojtarët do të kenë pak frikë, mund të jetë takuar me të gjithë, duhet kontroll që mos të përhapet. Këtë frikë kishim të gjithë: çfarë do të ndodhë nëse infektohet një lojtar”.

TITULLI – “Do të shohim nesër se kush është 100% gati për të luajtur. Çdo ekip ka mendimet e veta. Nuk shikoj ekipet e tjera, ne shikojmë punën tonë. Lojtarët e dinë që janë edhe 30 pikë në lojë, ka 10 ndeshje. Zoti do të na udhëheqë, ne do të jemi mbrapa tij.

 

Bardheblutë duke festuar fitoren në derbi

Në momentin që do të sigurojmë matematikisht titullin, atëherë do të themi se Tirana ka dalë kampion. Për deri sa janë 30 pikë në lojë, do të luftojmë deri në fund. Çdo ndeshje për ne do të jetë si një finale. Ju kam thënë çunave dhe ata e dinë, duhet të jemi me këmbë në tokë”.

KORONAVIRUSI – “Frikë nuk duhet të kemi, por duhet të jemi të kujdesshëm. Do presim rezultatet e testeve. Në qoftë se do të dalin negative, nuk do të kemi frikë, po dolën pozitivë, besoj se ndeshja nuk do të zhvillohet. Nuk ka shanse të luhet po dolën shumë lojtarë pozitivë. Federata dhe klubet do të vendosin, të presim rezultatet”.

PAGA E LUFTËS – “E kanë marrë lojtarët. Falënderoj Federatën për gjestin, është gjest human. Lojtarët në kategori më poshtë, i ka ndihmuar edhe më shumë. Forma e futbollistëve? Kemi komunikuar, por tani para se të fillojë stërvitja, do të komunikoj sërish me ta dhe do të shoh gjendjen e tyre”. /abcnews.al