Një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë, pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë, është rrëzuar sot nga një avion luftarak spanjoll F-18, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve rumune, droni kishte ardhur nga drejtimi i Moldavisë dhe është rrëzuar në orën 05:01 me orën lokale. Ministria bëri të ditur se mbetje të mundshme të tij kanë rënë në një zonë të pabanuar të rajonit të Galatit, pranë kufirit me Ukrainën.
Ministria spanjolle e Mbrojtjes vlerësoi operacionin, duke deklaruar se forcat ajrore spanjolle treguan “profesionalizëm të jashtëzakonshëm” në mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane.
Komanda Ajrore e NATO-s konfirmoi se në mision morën pjesë dy avionë F-18 spanjollë. Ata janë pjesë e kontingjentit spanjoll të dislokuar në Rumani, i cili përfshin rreth 200 personel ushtarak dhe 11 avionë.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, tha se kishte zhvilluar një bisedë me homologen rumune Oana Țoiu, e cila falënderoi pilotët spanjollë për ndërhyrjen.
Ky është rasti i katërt i raportuar nga autoritetet rumune i një droni të rrëzuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Rumania ka rritur masat e mbikëqyrjes dhe reagimit ndaj shkeljeve të hapësirës së saj ajrore, veçanërisht për shkak të sulmeve ruse ndaj porteve ukrainase përgjatë Danubit.
Që prej vitit 2023, autoritetet rumune kanë raportuar në disa raste gjetjen e fragmenteve të dronëve në territorin e vendit, pas sulmeve ajrore ruse ndaj objektivave në Ukrainë.



