Droga në mishin e pulave nga Brazili, flasin dy të arrestuarit: S’kemi asnjë lidhje me lëndën e kapur, porositë i bëjmë online

schedule10:13 - 16 Qershor, 2022

schedule 10:13 - 16 Qershor, 2022

Dy të arrestuarit që janë vënë në pranga për 45.5 kg kokainë që u sekuestrua nga Porti i Durrësit kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ngarkesën e lëndës narkotike. Administratori i kompanisë “Apetit Group”, Arben Ferizi thotë ai ka porositur mish pule duke shtuar se të gjitha veprimet bëhen online.

Ai ka theksuar se kompania nuk ishte në dijeni se çfarë tjetër ndodhej në kontejner.

“Kompania ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner.”

Kurse, agjenti doganor Egert Vargu është shprehur se puna e tij është të bëjë procedura zhdoganimi ndërsa ka theksuar se nuk merret me kontrollin e kontejnerëve.

“Nuk është puna ime. Puna ime është të merrem me dokumentacionin.” 

Sasia e kokainës vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, dhe siç njoftohet u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Kontejneri ku ndodhej lënda narkotike ishte i mbushur me mish pule.  Si rezultat i kontrollit të kryer, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Policia njofton se vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës me lëndë narkotike. Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga Policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një kontejner me qymyr që vinte nga Ekuadori. /abcnews.al/