Dramë në “Anfield”/ Paris SG përmbys Liverpool, francezët në çerekfinale

schedule12:39 - 12 Mars, 2025

schedule 12:39 - 12 Mars, 2025

Hidhërimet kanë qenë të shumtë. Madje ka pasur vetëm të tillë për një skuadër të ndërtuar me qindra e qindra milionë euro për të fituar më në fund Ligën e Kampionëve.

Paris SG, kampionia e madhe dhe krenare e Francës, ka dështuar me sukses që nga viti 2011 kur aksionet e klubit u blenë nga sheikët e Katarit.

Nuk ka rëndësi kush ishte përballë, Barcelona, Real, Bajern, sepse cilado fuqi e futbollit europian u ka ardhur hakut kryeqytetasve, që kanë dështuar dhe janë eliminuar edhe kur mendohej se ia kishin dalë.

Madje, deri edhe në finalen e madhe të Championsit siç ndodhi kundër Bajernit në 2020. Gjithsesi, ndoshta epoka e turpërimit ka marrë fund. Suksesi ndaj një Liverpuli të shkëlqyer ishte jo thjesht një fitore me penallti, por një deklaratë force.

Mund të jetë meritë e trajnerit tepër trim, Luis Enrike, që PSG ishte superior ndaj atij që deri tani quhej ekipi më i mirë i Europës. Liverpuli doli në vend të parë në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, dhe kryeson bindshëm Premier Ligën angleze.

Gjithsesi, parizienët bënë që të kuqtë të duken shumë më të vegjël dhe kualifikimi për në çerekfinale nuk ishte vetëm meritë e portierit të Italisë, Donaruma. Në “Anfild”, francezët patën 21 gjuajtje ndaj 19 të vendasve, 8 në kuadrat ndaj vetëm 3 si dhe mbajtën topin 55 për qind.

“Super heronj, – titullon e dëshiruar “L’Ekip”, – në një mbrëmje të madhe europiane, parizienët dominuan Liverpulin në “Anfild” dhe fituan falë portierit të tyre!” “Lë Figaro” komenton: Pas një beteje danteske, PSG kalon Liverpulin! Fitohet me penallti në “Anfild” dhe diskutojmë çerekfinalet e Championsit!”

Natyrisht, ky ishte vetëm një kualifikim, nuk u fitua ndonjë trofe, por megjithatë përshtypja është se po nis epoka e Paris SG. Edhe pse ka ende rrugë, dhe në raundin tjetër do të jetë përballë një Real apo Atletiko, ndoshta Championsi mund të shkojë më në fund në “Parkun e Princave”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!