Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara po sjellin rezultate të rëndësishme për demokratët, të cilët synojnë të marrin kontrollin e Kongresit amerikan dhe të ndryshojnë balancat politike në Uashington.
Në këto zgjedhje janë në garë 35 nga 100 vendet e Senatit, të gjitha 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe 36 poste guvernatorësh.
Para zgjedhjeve, republikanët kontrollonin Senatin me 53 vende, kundrejt 47 vendeve që mbaheshin nga demokratët dhe dy senatorëve të pavarur që votojnë me ta. Për të marrë shumicën, demokratëve u nevojiten katër vende neto më shumë.
Ndër fitoret kryesore të demokratëve është ajo në Karolinën e Veriut, ku Roy Cooper mposhti republikanin Michael Whatley, duke marrë një vend që mbahej nga republikanët. Në Georgia, Jon Ossoff siguroi rizgjedhjen, ndërsa në New Hampshire Chris Pappas fitoi garën për Senat.
Fitorja e Pappas shënon gjithashtu një moment historik, pasi ai pritet të bëhet burri i parë homoseksual i deklaruar hapur që zgjidhet në Senatin amerikan.
Edhe gara për Dhomën e Përfaqësuesve është vendimtare. Nga 435 vendet që përbëjnë këtë dhomë, demokratëve u nevojiten të paktën tri vende neto më shumë për të marrë kontrollin, sipas përllogaritjeve të Associated Press.
Ndërkohë, në garat për guvernatorë, Georgia shënoi një moment historik me zgjedhjen e Keisha Lance Bottoms, gruaja e parë afro-amerikane që merr drejtimin e këtij shteti.
Ekonomia, inflacioni, kostoja e jetesës, tarifat tregtare dhe politikat e emigracionit kanë qenë ndër çështjet kryesore të fushatës.
Rezultatet përfundimtare do të përcaktojnë nëse presidenti Donald Trump do të vazhdojë të ketë mbështetjen e shumicës në Kongres apo do të përballet me një Kongres të kontrolluar nga demokratët, çka mund të vështirësojë miratimin e agjendës së tij politike gjatë dy viteve të ardhshme.
Lajmi në përditësim


