Dosja “Xibraka”/ Kryeministri Rama i përgjigjet deklaratave të Bardhit

schedule18:55 - 8 Maj, 2024

schedule 18:55 - 8 Maj, 2024

TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi u shpreh para mediave se është thirrur të mërkurën e 15 majit në SPAK si person që ka dijeni lidhur me hetimet për procedimin penal nr 88 të vitit 2024 lidhur me dosjen “Xibraka”.

Ai ka akuzuar vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën si të përfshirë në veprimtarinë e trafikut të drogës. Për këtë, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili mes tjerash shkruan se drejtësia dhe SPAK vepron me ligje e prova dhe jo me llafe.

Sipas Ramës, pas dëshmisë së Gazment Bardhit, SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori.

“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallëzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit”, shkruan Rama në platformën “X”./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!