Dita ndërkombëtare e Sporteve në Ushtri

schedule12:57 - 13 Shkurt, 2018

schedule 12:57 - 13 Shkurt, 2018

Karriera në Forcat e Armatosura të jetë e pastër si një garë sportive. Apeli vjen nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë iu bashkuan ushtrive nga 135 vende të tjera në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave garuan në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza.

Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore.

Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar që edhe karriera juaj t’i përngjajë kësaj gare të bukur sportive. Dhe po punojmë që kjo garë të jetë e pastër, e ndershme dhe e shëndetshme. Një garë ku secili prej jush të vlerësohet dhe promovohet në bazë të meritave dhe të performancës së treguar gjatë punës.

Kjo garë e ndershme do t’ju krijojë mundësinë të gjithëve që të shprehin sa më mirë që të jetë e mundur, nivelin e përgatitjes profesionale, në shërbim të Forcave tona të Armatosura dhe do të rrisë nivelin profesional të saj, si rrjedhim edhe cilësinë e realizimit të detyrave.”

Dita e vrapimit të Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes./abcnews.al