Dinamo e Kukësi “përplasen” për dy lojtarë, Vllaznia teston një gjigant për sulmin

schedule08:20 - 18 Qershor, 2021

schedule 08:20 - 18 Qershor, 2021

Shumë emra që lakohen sërish dhe Dinamo është nja nga klubet që ka nevojë për përforcime, pasi 18 herë kampionët e vendit pothuajse po e ndërtojnë ekipin nga fillimi.

Në numrin e sotëm të “Panorama Sport” raportohet se është arritur marrëveshjes me portierin Romeo Harizaj, i cili do kaloje te Dinamo dhe 50 për qind të kartonit do e mbajë Apolonia që të përfitojë në të ardhmen nga shitja e tij.

Blutë po rivalizojnë me Kukësin për dy lojtarë: mbrojtësin Aleksandar Isaevksi, si dhe për mesfushorin Fjoart Jonuzi. Të dy kanë bërë një sezon të mirë te Vllaznia dhe kanë disa oferta.

Te Partizani që ditën e djeshme është lakuar emri i Redon Xhixhës, i cili i është propozuar “demave”. Në fakt me sulmuesin anësor më pranë është Tirana. Për të mbetur te sulmi, po e njëjta gazetë shkruan për një kroat te Vllaznia.

Bëhet fjalë për Kresimir Kovacevic, i cili sezonin e fundit e nisi te Lokomotiva Zagreb dhe luajti dy ndeshje, për t’u larguar më pas në Qipro tek Ermis, ku në 17 ndeshje në kampionat realizoi tre gola.

Në të shkuarën sulmuesi 190 centimetra i gjatë ka luajtur në ligën e dytë kroate me Sesvete dhe Kustosija, si dhe në Austri me Hartberg dhe Lafnitz. Në Superligën austriake ai numëron 7 ndeshje e 3 gola.

Për të nënshkruar me Vllazninë thuhet se do të testohet. Trajneri Thomas Brdaric do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit për transferimin e Kovacevic te kuqeblutë. /abcnews.al