Kryeministri Rama tha nga Dibra se historia e PS është e lidhur ngushtë me historinë e Shqipërisë, duke theksuar se sipas tij, sa herë që janë cenuar votat dhe të drejtat e PS-së, pasojat i kanë vuajtur qytetarët shqiptarë.
Gjatë një takimi në Dibër, Rama u shpreh se në periudhat kur socialistëve “u grabiteshin votat dhe u shkelnin të drejtat”, vendi ka kaluar momente të vështira ekonomike e sociale.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te Rruga e Arbrit, për të cilën tha se ishte premtuar prej vitesh, por nuk ishte realizuar deri në qeverisjen socialiste.
Ai e cilësoi Dibrën si “jastëkun e gjelbër të Tiranës”, ndërsa theksoi se ndërtimi i Rrugës së Arbrit u bë për të lidhur më fort zonën me pjesën tjetër të vendit.
“Historia jonë e PS është njësh me historinë e vendit dhe çfarë sheh në historinë e PS reflektohet në historinë e vendit. Kur PS masakrohej, i grabiteshin votat, shkeleshin të drejtat, Shqipëria shkonte poshtë dhe shqiptarët e paguanin me keq, sepse atyre iu morën votat, ndërsa shqiptarëve iu morën pasuritë, i nxorën në rrugë dhe i ranë piramidat e Sudes.
Sa herë që Rruga e Arbrit u premtua, aq herë nuk u bë. Ne thamë do e bëjmë dhe e bëmë siç e thamë. Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia doli kundër dhe na bllokoi te Tuneli i Murrizit, ashtu ne e kemi bërë dhe do e bëjmë edhe rrugën e anëtarësimit në BE dhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Dibra është bërë jastëku i gjelbër i Tiranës. Ne nuk e kemi bërë Rrugën e Arbrit për t’u marrë votat dibranëve, nuk e kemi bërë se në të gjitha dokumentet dilte si një rrugë me përfitime të mëdha, por e bëmë sepse mungesa e asaj rruge ishte boshllëku më i madh mes një shteti dhe një pjese të popullsisë së vet. Nuk mund ta linim një pjesë të popullsisë të ndarë, aq më tepër një trevë si kjo që i ka dhënë shumë Shqipërisë.”


