Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiç njofton Rusinë për zhvillimet e fundit

schedule21:54 - 13 Korrik, 2020

schedule 21:54 - 13 Korrik, 2020

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një ditë pas rifillimit të dialogut me Kosovën ka njoftuar ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan Harchenko, në lidhje me vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Siç transmeton REL, Vuçiç e ka bërë këtë një ditë pas rifillimit të dialogut midis Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Europian. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve-rrethi i parë pas 20 muajsh-u zhvillua përmes video-konferencës, ndërsa takimi i drejtpërdrejtë është caktuar për datën 16 korrik, në Bruksel.

Në njoftimin e Presidencës së Serbisë, përveç që thuhet se Vuçiç dhe Harchenko diskutuan veçanërisht për çështjen e Kosovës, detaje të tjera nuk jepen. Reagimi i fundit publik nga Rusia, në lidhje me çështjen e Kosovës, është regjistruar më 18 qershor, kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka qëndruar për vizitë në Beograd.

Atëherë, Vuçiç deklaroi se ka marrë sinjale nga Lavrov që “e kanë shqetësuar edhe më shumë” atë, por nuk ka bërë të ditur se për çfarë bëhej fjalë.

Lavrov, në anën tjetër, ka thënë se Rusia “do të vazhdojë t’i mbrojë” interesat e Serbisë në organizatat ndërkombëtare. Detaje të tjera të bisedimeve nuk janë dhënë.

Vizita e Lavrovit në Beograd është zhvilluar në kohën kur pritej një takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me nismën e të dërguarit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell./abcnews.al