Dhuna në Rrugën e Kombit, pritet caktimi i masave të sigurisë për të ndaluarit

schedule10:41 - 3 Prill, 2018

schedule 10:41 - 3 Prill, 2018

23 të ndaluarit në Kukës, pas protestes së dhunshme të zhvilluar të shtunën paradite në Rrugën e Kombit, do të dalin nesër në orën 9:00 para Gjykatës së Kukësit për caktimin e masës së sigurisë. Lajmi është bërë i ditur për mediat nga kancelari i kësaj gjykate, Shikim Korbi.

Sot në mëngjes, Prokuroria e Kukësit ka dërguar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kukës, kërkesat për caktimin e masave të sigurisë për këta të ndaluar. Nga burime jo zyrtare mësohet se për disa prej të ndaluarve organi i akuzës ka kërkuar masa më të zbutura sigurie, ndërsa për disa të tjerë masën “arrest në burg”.

Mësohet se kryetari i Gjykatës së Kukësit ka kërkuar që seancat për masat e sigurisë të zhvillohen në këtë gjykatë.
Ndërkohë të ndaluarit vazhdojnë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në disa komisariate të kryeqytetit, që prej mëngjesit të së dielës.

Sot për të tretën ditë me radhë, qytetarë të Kukësit dhe familjare të të ndaluarve protestojnë përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë për lirimin e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!