Detaje të reja nga atentati, dalin pistat hetimore të ngjarjes në Peqin

schedule09:00 / 14/12/2019

Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e së premtes në anë të rrugës nacionale Elbasan-Peqin në fshatin Përparim.

Si pasojë e këtij atentati, mbeti i vdekur Andi Zylyfi, 26-vjeç me banim në këtë fshat dhe u plagos rëndë shoku i tij Ardit Uruçi, 23-vjeç, banues në të njëjtin fshat.

Megjithëse i është dhënë ndihma e parë 26-vjeçari ka mbërritur pa jetë në spital, ndërsa shoku i tij ka marrë plumba në kokë dhe në këmbë, dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën .

Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë qëlluar me breshëri armësh, në momentin kur ata ndodheshin në një automjet. Më pas ata janë larguar me shpejtësi.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, dhe forca të FNSH, të cilat kanë rrethuar zonën përreth, dhe kanë ngritur postblloqe në akset kryesore, veçanërisht në akset Peqin-Elbasan dhe Peqin-Durrës.

Ende nuk bëhen të ditura motivet e kësaj ngjarje. Por mësohet se viktima viktima Andi Zylyfi ka lidhje familjare me Endrit Alibej e Arben Dylgjern, të cilët mbetën të vrarë në një atentat më 29 dhjetor të vitit të kaluar, në Bradashesh të Elbasanit bashkë me shtetasin turk Erdal Duranay.

Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes. Por një pistë tjetër ku grupi hetimor po punon, ka të bëjë me detyrën e babait të viktimës, si punonjës i burgut të Peqinit. /abcnews.al

schedule09:00 / 14/12/2019