Detaje nga vrasja në ish-Bllok/ Prokuroria: Begalla u ndoq nga tre persona

schedule14:02 - 11 Mars, 2018

schedule 14:02 - 11 Mars, 2018

Përveç dy personave të arrestuar pasi dyshohen të jenë autorë të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla, hetimi ka zbuluar se një person i tretë ka pasur rol aktiv në ngjarje. ABC News ka siguruar një dosje të prokurorisë, ku dalin në dritë detajet të reja të krimit të 14 Shkurtit në zonën e ish-bllokut.

Vrasja e biznesmenit Memli Begalla mbrëmjen e 14 Shkurtit në Tiranë është organizuar nga të paktën tre persona. Ndërsa janë prangosur dy vetë si autorë të ngjarjes, hetimet kanë evidentuar edhe një person të tretë, i cili ka mbajtur në mbikëqyrje të gjitha lëvizjet e viktimës pak para ekzekutimit.

Detajet e reja zbulohen në dosjen e prokurorisë, një kopje e të cilës u sigurua nga ABC News.

Sipas dosjes, personi i tretë dyshohet të ketë qenë “syri” i dy vrasësve, që shfaqen në këto pamje, që prokuroria pretendon të jenë Denis Demiri dhe Ardian Serezi.

Nga këqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në bizneset e godinat pranë vendit të ngjarjes, përfshi edhe ato të selisë së LSI-së, janë konstatuar tre persona të veshur me xhupa me kapuç që ndiqnin lëvizjet e Memli Begallës.

Dy prej tyre, janë vënë re në orën 18:30 të 14 Shkurtit në një nga lokalet pranë sheshit “Wilson”. Një prej tyre ka ulur kapuçin, moment që prokuroria pretendon se identifikoi Denis Demirin. Ndërsa tjetri dyshohet se ka qenë Ardian Serezi.

Në të njëjtën kohë, personi i tretë po me kapuç ulet në verandën e një lokali pak metra më larg.

Një orë më vonë, aty është afruar biznesmeni Memli Begalla. Sipas prokurorisë, personat e dyshuar si Demiri dhe Serezi kanë lëvizur në këmbë drejt Drejtorisë së Policisë për t’u kthyer disa minuta më vonë në zonë me një mjet “BMW” dhe janë pozicionuar para tunelit të pallatit të viktimës.

Ndërsa personi i tretë me kapuç të kuq ka qëndruar në këmbë pranë vendit ku po pinte kafe Begalla.

Pas vrasjes këta dy persona janë larguar me mjetin “BMW”, ndërsa personi i tretë është larguar në këmbë drejt sheshit “Wilson”.

Sipas prokurorisë, “BMW”-ja u gjet e braktisur dhe e lyer me benzinë në zonën e Picallës. Brenda saj u gjetën disa kartopeceta dhe kapuçë plastikë. Në mjet dhe në sendet e gjetura janë përftuar 13 profile gjenetike ADN-je, të cilat do t’i nënshtrohet ekzaminimit për të identifikuar personat që i ka përdorur. Për llogari të hetimit prokuroria ka administruar edhe kampionë biologjikë të dy të arrestuarve Demiri e Serezi për të bërë krahasimet./abcnews.al