Derdhja e ujërave të ndotura në det, Klosi: Ndëshkime pas 1 Qershorit

schedule15:30 - 19 Maj, 2018

schedule 15:30 - 19 Maj, 2018

Bizneset në zonat turistike kanë më pak se dy javë kohë për të marrë masa për trajtimin e ujërave të ndotura. Pas një Qershorit, ka paralajmëruar ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ata që i derdhin këto ujëra në det do të ndëshkohen ashpër.

Kjo inxhiniere po i prezanton Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi teknologjinë që një resort turistik në bregdetin e Tales në Lezhë po përdor për të trajtuar ujërat e ndotura.

Nisma vjen si një detyrim që duhet të përmbushin strukturat akomoduese në zonat turistike deri më 1 Qershor.

Blendi Klosi: “Nga data 1 Qershor ne do të veprojmë me gjithë institucionet që shfrytëzojnë ujin e detit. Qofshin ato private apo shtetërore, që nuk kanë deburatorë për trajtimin e ujërave të zeza. Ne do të jemi shumë më ashpër me këdo që nuk zbaton lejen mjedisore në raport që ka me shtetin shqiptar  për të administruar ujërat e zeza dhe trajtuar mbetjet urbane”.

Edhe sipas ambjentalistit Sazan Guri, praktikës së vjetër për mënyrën e trajtimit të ujërave të zeza duhet t’i vijë fundi.

Sazan Guri:“Nuk janë vetëm për hotelet të komplekseve turistike, por janë për çdo lloj punishteje, fabrikë, kombinat që do të thotë që në Shqipëri nga ky moment këta janë dallëndyshja e parë. Është një nga praktikat më të mira në vend dhe në Shqipëri mbaroi koha që t’i mund të bësh çfarë të duash me ujërat e zeza”.

Në këtë resort, gjithashtu do të ketë edhe një impiant për trajtimin e mbetjeve të tjera që krijohen nga konsumatorët. Lënda që përftohet, sipas administratorit Gjergj Liqejza, do të përdoret për plehërimin e hapësirave të gjelbëruara./abcnews.al