“Derbi nuk luhet, por fitohet”, Colella: Do të jetë një ndeshje e bukur, në lojë janë të 3 rezultatet

schedule14:11 - 1 Tetor, 2022

schedule 14:11 - 1 Tetor, 2022

Partizani do të presë në “Air Albania” Tiranën për të zhvilluar mes tyre derbin e parë për këtë sezon, takim që do të nisë duke filluar nga ora 19:00.

Demat vijnë përballë kampionëve në fuqi, si kryesuesit e kampionatit, ndërsa do të kërkojnë të fitojnë derbin e parë të këtij sezoni.

Në prag të derbit në konferncën për shtyp ishte i pranishëm trajneri Giovanni Colella, i cili ka theksuar s epër të nuk është derbi i parë që luan në karrierë.

“Nuk është derbi i parë që luaj në karrierë, kam luajtur disa dhjetra të tillë, por sigurisht emocionet e derbit të parë të Tiranës janë prezente.

Skuadra? Jam i kënaqur me formën fizike të skuadrës. Nuk jemi në 100% sepse kemi patur disa probleme, por gjithsesi skuadra është mirë. Mendoj se në një ndeshje të tillë e rëndësishme është të jemi lartë psikologjikisht. Nëse nuk do të kisha prej ditësh idenë se kë lojtar do të hedh në fushë ditën e diel nuk do të bëja këtë profesion do të bëja tjetër punë.

Formacioni? Nuk do ta tregoj asnjëherë formacionin. Edhe lojtarët vetë nuk e dinë formacionin. Jam unë i pari që flas dhe ia komunikoj formacionin lojtarëve është normale.

Skema e lojës? Partizani tashmë ka një mënyrë loje dhe nuk mendoj se do të ndryshojmë.

Derbi nuk luhet, por fitohet? E njëjta gjë është edhe në Itali për ndeshjet derbi.  Në një ndeshje derbi nuk ka të bëj aspak pozicioni i skuadrave në klasifikim në lojë janë të tre rezultatet.

Tirana? Jo vetëm me Tiranën por të gjithë kundërshtarët që kemi përballë javë pas jave ne i analizojmë. Nuk dua ti krijoj idenë lojtarëve që përballja me Tiranën do të ketë analizë specifike dhe me ekipet e tjera jo, ndaj i përgatisim ndeshjet gjithmonë njësoj. Mendoj që Tirana është një skuadër mjaft e mirë, gjë të cilën e ka demostruar me rezultatet e fundit dhe mendoj që do të jetë një ndeshje e bukur.

Stadiumi dhe atmosfera e derbit në “Air Albania”? Kur e kam parë për herë të parë stadiumin “Air Albania” jam surprizuar. Për mua ai është stadiumi më i bukur që mund të kem parë përgjatë 20 viteve të fundit. Në fillim uroj të jenë dy skuadrat në fushë të nderojnë këtë eveniment sportiv, këtë stadium dhe sigurisht edhe tifozët që do të jenë prezent në këtë ndeshje.

Fati i derbit? Nuk kam asnjë ndrojtje, apo frikë për rezultatin që do të prodhoj derbi. Kam gjithmonë shumë respekt për kundërshtarët por aspak frikë. Nuk mund ta mohoj që i ndjej emocionet e një ndeshje të tillë kaq të rëndësishme, është kënaqësi të luash një derbi të tillë. Unë ushtroj këtë profesion për të luajtur pikërisht ndeshje të tilla, puna ime mbi të gjitha është pasion.

Fitorja në derbi? Unë punoj për këtë dhe shpresoj të ndryshojmë këtë trend në favorin tonë.

E shkuara e derbit? Jo nuk i kam ndjekur. Kam parë vetëm ndeshjet e fundit të Tiranës. Kam parë disa fragmente të takimeve derbi, më shumë për të kuptuar atmosferën që prodhon derbi .

Shehi? Për mendimin tim Shehi është një trajner shumë inteligjent, sepse vitin e kaluar ai shfrytëzoj në maksimum karakteristikat e lojtarëve që kishte në dispozicion. Mendoj se kjo është një aftësi shumë e madhe për një trajner. Nuk mendoj se një trajner duhet të improvizoj, mendoj që një trajner i zoti duhet ti marr maksimumin grupit dhe trajneri Shehi është mjaft i zoti.

Seferi? Lojtarët ikin dhe vijnë, ajo që mbetet është klubi dhe skuadra. Nga sa kam parë Tirana e ka zëvendësuar më së miri largimin e Seferit dhe mendoj që Tirana mbetet një skuadër shumë kompetitive”, ka thënë Colella. /f.a/abcnews.al