Deputeti Erion Braçe ka deklaruar se deputeti duhet të ketë zërin e tij. Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, Braçe tha se gjatë fundvitit të kaluar janë zhvilluar seanca dëgjimore dhe janë hartuar dy rezoluta për të vendosur drejtësi në treg dhe për të mbrojtur konsumatorin, por ato nuk janë miratuar.
“Bëmë seancë dëgjimore dhe hartuam dy rezoluta që për gjykimin tim janë shumë të mira për të vendosur drejtësi në treg dhe të mbrohet konsumatori. Por ato rezoluta nuk u miratuan,” u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet për të shkëputur deputetin nga zona që përfaqëson dhe relativizimin e rolit të tij në Kuvend. Sipas tij është e rëndësishme që brenda partive politike të ketë më shumë debat dhe përfshirje, si dhe të krijohen hapësira për një opozitë të shëndetshme në të ardhmen.
“Në fundvitin që shkoi ka ndodhur një gjë e rëndë. Bëmë seancë dëgjimore dhe hartuam dy rezoluta që për gjykimin tim janë shumë të mira për të vendosur drejtësi në treg dhe të mbrohet konsumatori. Por ato rezoluta nuk u miratuan. Por kush e ndaloi këtë gjë? Kjo historia që në momentin që je përballë një zgjedhje midis konsumatorit dhe sipërmarrësit atje dhe duke prishur çdo balanca në favor të sipërmarrësish, nuk shkon. Kam vënë re, se është një përpjekje konstante për ta shkëputur deputetin nga territori elektoral i tij. Kjo gjë më shqetëson. Unë kam bërë shkollë tjetër, të Gramoz Ruçit, që lidhjen e deputetit me territorin e kishte prioritet. Unë këtë punë e kam mësuar në territor. Kjo që po ndodh edhe në Tiranë që deputeti shkëputet lëvizet edhe pse ka vetëm një vit që është votuar… Unë jam deputet i njësisë numër 5 dhe ma dhanë ata njerëz votën, por nuk jam drejtues politik në njësinë numër 5 dhe mundohen të sillen si deputet… Dhe elementi i dytë që nuk shkon është relativizimi i rolit të deputetit. Pra më lë të kuptoj që deputet nuk je për të menduar, por këtë nuk e pranoj dot…Nuk duhet ta bëjnë edhe ata deputetë të rinj, nuk shkon që në sallën e Kuvendit të flasin vetëm 3 vetë. Deputeti duhet të ketë fjalën e zërin e tij. Nëse duam përfshirje duhet t’i përfshijmë në debat. Dhe e fundit gjë, unë kam menduar që do bëj një punë tjetër dhe në këtë pikë mendoj çfarë do lë pas…Që kjo parti nuk do jetë gjithë jetën në pushtet. Duhet të ketë dhe hapësirë dhe instrumentet që të bëjë edhe një opozitë të shëndetshme…”, tha ai.


