Deputetët shqiptarë në SHBA me ftesë të senatorëve amerikanë, Mediu: Demokracitë në rajon rrezikohen nga forcat anti-europiane

schedule13:14 - 16 Shtator, 2022

schedule 13:14 - 16 Shtator, 2022

Me ftesë të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan Bob Menendez dhe n/Kryetarit Senatorit Marco Rubio grupi i deputetëve shqiptar pjesë e IPAC(Aleanca Ndërparlamentare për Kinën), morën pjesë në Samit ku përfaqësoheshin 30 parlamente nga Australia, Japonia, Britania dhe Europa:

Grupi i deputetëve shqiptar përfaqësohej nga IPAC Albania me deputetët Fatmir Mediu, Blerina Gjylameti, Dhurata Çupi, Fatmir Xhafa dhe Nustret Abdullai..

Në fjalën e tij në samit të mbajtur në Kongresin Amerikan Senatori Rubio theksoi se është shumë e rëndësishme që demokracitë të përballen me regjimet autoritare, jo vetëm në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë, por duke ndërtuar demokraci funksionale në luftë me korrupsionin, krimin dhe në respekt të qytetarëve: korrupsioni dhe krimi, mosfunksionimi i ligjit janë aleati më i mirë i regjimeve si ai i Republikës Popullore të Kinës.

Kryetari i komisionit të jashtëm Menendez theksoj se siguria dhe ekonomia janë shumë të lidhura me njëra tjetrën, prandaj marëdhëniet ekonomike që krijojnë varësi politike dhe probleme të sigurisë janë të dëmshme dhe të papranueshme.

Në takim me Senatorin Menendez, Senatorin Rubio dhe senatorë të tjerë ata shprehën shqetësimin për sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë si dhe mbështetjen e plotë për një bashkëpunim konkret të SHBA me Shqipërinë kundër Iranit.

Mediu në cilësinë e bashkëkryetarit të IPAC drejtoi seancën për miratimin e dokumentit final duke theksuar në emër të delegacionit shqiptar se Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj në krah të SHBA dhe vëndeve demokratike.

“Ne nuk mund të shesim interesat tona afatgjata të sigurisë për përfitime afatshkurtëra ekonomike. Liria është më e rëndësishme se tregtia e lirë. Mbrojtja e vlerave tona është më e rëndësishme se fitimi. Demokracitë në rajon rrezikohen nga ndërhyrja e forcave anti-europiane dhe anti-NATO dhe problemet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e shtetit ligjor”, tha ai. /abcnews.al