2 punonjëse të shtëpisë së foshnjes në Vlorë u pezulluan pas publikimit nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan të dhunës së ushtruar prej tyre mbi të miturit e këtij institucioni. Pamjet tronditëse janë dëshmi e një skandali, për të cilin duhet të reagojnë institucionet përkatëse.
Kjo edukatore duhet të ishte nëna e munguar për këta fëmijë jetim.
Por të dhënit dashuri duket e tepërt në shtëpinë e foshnjes në Vlorë. Mbrëmjen e të mërkurës, emisioni investigativ “Stop” në televizionin Klan denoncoi sjelljen çnjerëzore të dy punonjëseve, detyra e të cilave është të kujdesen për rritjen e fëmijëve.
Me zë dhe me figurë, emisioni investigativ tregoi dhunimin fizik dhe psikologjik të fëmijëve të shtëpisë së foshnjes në Vlorë. Fjalori banal, tonet e larta, dhe goditjet është mënyra që gjen kjo kujdestare për t’i tërhequr vëmendjen foshnjes që nuk e dëgjon. Pas denoncimit nga emisioni “Stop”, dy punonjëset e institucionit u pezulluan. Por a është kjo zgjidhja, kur dhuna ndaj fëmijëve jetim është një rast i përsëritur?
Skandal i denoncuar nga emisioni investigativ nuk mbyllet me kaq. Abuzimi financiar nga drejtoresha e institucionit Olta Ganaj është ana tjetër e tij. Shtëpia e foshnjes nuk ka një makinë dhe një zë të veçantë në buxhetin e saj për fonde për shërbim automjeti, por drejtoresha Ganaj përfiton çdo muaj 70 mijë lekë të reja nga fondet e shtëpisë së foshnjes, pasi makinën e saj personale e përdor edhe për nevojat e institucionit, sipas një kontrate huapërdorjeje pa shpërblim./abcnews.al