Prokuroria e Posaçme kërkon deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim për anëtarët e përfshirë në ngjarjet e bujshme kriminale, ku përfshihen vrasjet e shtetasve Vajdin Lamaj, dhe Klodian Saliu.
Kërkesa e prokurorëve Alfred Shehu dhe Elida Kaçkini përmban pretencën përfundimtare për secilin prej të pandehurve, për të cilët kërkon dënimin me nga 25 vite burg, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi është kërkuar ulje dënimi.
Prokuroria ka kërkuar dënimet e mëposhtme për secilin prej të pandehurve:
• Viktor Bajraktari (Imeraj): 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal, 2 vjet burgim për falsifikim dokumentesh dhe 5 vjet burgim për futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEVP. Në bashkim të dënimeve, prokuroria kërkoi dënimin e tij përfundimisht me 25 vjet burgim, vendimi i të cilit me kërkesë duhet të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
• Emiljano Shullazi: 25 vjet burgim për vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave (Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi) në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe 5 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi me 25 vjet burgim, me vuajtje të dënimit në një burg të sigurisë së lartë.
• Indrit Taulla: 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 5 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, si dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi i tij me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
• Lulzim Berisha: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 5 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht, prokuroria kërkon dënimin e tij me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
• Plaurent Dervishaj: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 16 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Në bashkim të dënimeve, kërkohet dënimi përfundimtar me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
• Indrit Rusi: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi me 25 vjet burgim në burg të sigurisë së lartë.
• Luftar Reçi: 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vjet burgim për vrasjen e Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 10 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal, çka e çon dënimin e bashkuar në 25 vjet burgim. Mirëpo, për shkak të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë, prokuroria ka kërkuar aplikimin e uljes së dënimit sipas nenit 52/a të Kodit Penal, duke kërkuar përfundimisht dënimin e tij me 8 vjet burgim, me vuajtje në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve.


