Dëmtime dhe frikë për Covid-19, ç’duhet të dini para Vllaznia-Tirana

schedule10:14 - 26 Shkurt, 2021

schedule 10:14 - 26 Shkurt, 2021

Klasikja e Shqipërisë zhvillohet nesër, me Vllazninë pritëse në stadiumin “Loro Boriçi”. Dueli me kampionët në fuqi, Tiranën, nis prej orës 13:00 dhe kuqeblutë do tentojnë të marrin pikët e plota, sikurse edhe Tirana.

Në këtë duel do ketë edhe mungesa të rëndësishme. Te shkodranët me probleme vazhdon të jetë Herald Marku, i cili pësoi një tërheqje kundër Laçit dhe ende nuk është rikuperuar.

Për të mos mjaftuar mesfushori, me shumë mundësi do të mungojë sërish edhe mbrojtësi Aleksandar Isaevski. Futbollisti nga Maqedonia e Veriut është dëmtuar në seancën e djeshme.

Te Tirana gjithashtu ka probleme. Erjon Hoxhallari është i pezulluar (u ndëshkua me të kue me Teutën), Filip Najdovksi është i infektuar me Covid-19 dhe nuk do të jetë as në përballjen me Vllazninë, ndërkohë që ka frikë edhe për një tjetër lojtar.

Richard Danso është izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës për shkak të temperaturës së shfaqur dhe sipas “Panorama Sport” sot mund të bëjë tamponin, nëse ka sërish simptoma. Më parë edhe trajneri Orges Shehi ka qenë i izoluar dhe mungoi në ndeshjen kundër Teutës. / abcnews.al