Demokratët në komisionin e Ligjeve: Ku është raporti me shkrim?

schedule15:27 - 18 Qershor, 2018

schedule 15:27 - 18 Qershor, 2018

Një raportim i parashikuar me ministren e drejtësisë mbi situatën e kriminalitetit në vend, ka sjellë debat ne komisionin e ligjeve. Akuzat e njohura mes palëve, kanë sjellë shtyrjen e mbledhjes.

“Jemi jo më larg se një javë nga ai momenti historik ku Europa do të japë notën e vlerësimit për shqiptarët, për çeljen e negociatave. Dhe kjo notë besimi ka të bëjë me luftën e kriminalitetit. Sa e kanë luftuar institucionet dhe sa është vullneti i qeverisë për ta luftuar në mënyrë serioze kriminalitetin. Nga ju kryetar dhe as nga sekretaria nuk ka një raport të shkruar, të përgatitur nga institucioni që ka ardhur për të raportuar”.

Deklaratën demokrati Enkelejd Alibeaj e bëri gjatë mbledhjes së komisionit të ligjeve ku e ftuar ishte ministrja e drejtesisë Etilda Gjonaj për raportim lidhur me ndjekjen e ecurisë së cështjeve që përmbahen në rekomandimet e vitit 2017 të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit. Në vijim të strategjisë së pjesmarrjes në kuvend për denoncim, Alibeaj iu drejtua kreut të dikasterit të drejtësisë..

“Sepse nga funksionari që ka ardhur sot, është bërë e ditur se për çdo gjë mund të flas, por jo për Tahirin, Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn, Nezar Seitin. Por për çfarë ka ardhur për të folur për koleksionin pranverë-verë të Miu-Miut”.

Alibeaj i referohet akuzës së ngritur nga gazetarja e Deutche Welle Anila Shuka, e cila përmes një postimi në rrjetin social facebook ka deklaruar se minsitrja e drejtësisë Gjonaj ka kërkuar të mos pyetet për rastet Xhafaj dhe Tahiri si kusht për dhënien e një interviste mbi reformën në drejtësi.

Mbi këtë ministri dhe titullarin e saj qëndron një faturë shumë e rëndë, qoftë për negociatat, qoftë për reformën në drejtësi, luftën ndaj kriminalitetit por edhe për një fakt akoma më të rëndë. Sot Republika jonë që për 7 ditë kërkon t’i çelen negociatat është një republikë që i ka rënë një këmbë e pushtetit, sistemi i drejtësisë. Besoj se kjo do duhet të jetë një nga sensibilitetet më të mëdha të Mistria e Drejtësisë. Sot Republika e Shqipërisë është një Republikë pa Gjykatë Kushtetuese”.

Kryetari i komisionit Ulsi Manja kërkoi strehë tek rregullorja e cila fjalës për procedurë i njeh 2 minuta kohë.

“E more fjalën për procedurë. Do flasë ministrja e Drejtësisë. Në të kundërt e mbyllim mbledhjen. Nuk jam nga ata burra që ia mbath. Propozim konkret për procedurë. Nuk kam kohë të rri gjithë ditën këtu. E kam thirrur ministren e Drejtësisë për të folur për 2017”.

Në pamundësi për të vijuar raportimin me ministren, Ulsi Manja shtyu mbledhjen e komisionit të ligjeve rreth raportimit të ministres Gjonaj duke i kërkuar ksaj të fundit edhe një raport me shkrim për atë të radhës. /abcnews.al