Debati për plehrat e Durrësit, Bylykbashi: Tre opsionet që u refuzuan

schedule22:15 - 29 Qershor, 2021

schedule 22:15 - 29 Qershor, 2021

Këtë mbrëmje në “Log.” me Endri Xhafon u diskutua çështja e mbetjeve që shqetëson prej ditësh qytetin e Durrësit. Në një kohë kur ka nisur sezoni turistik, qyteti bregdetar prej ditësh u “pushtua” nga mbeturinat dhe aroma e pakëndshme që ato lënë pas.

Tashmë ka nisur pastrimi në disa zona të rëndësishme si qendra e qytetit apo zonat bregdetare pasi koncesionari i landfill-it të Sharrës pranoi që t’i marrë mbetjet pa pagesë për dy javë.

Deputeti i zgjedhur i Durrësit nga Partia Demokratike Oerd Bylykabshi u shpreh se kjo nuk është vetëm një krizë menaxhimi, por edhe një krizë për shëndetin publik.

“Kur del nga dera nuk gjen gjë tjetër veç kazanëve plot. Prej ditësh, qelben, gjithë qytetin. Krizë jo vetëm menaxhimi, por edhe për shëndetin publik. Ajo situatë nuk është se nuk ka ndodhur herë të tjerë. Kjo është e konstruktuar për të justifikuar një vendimarrjeje tjetër. Si qytetar më vjen edhe turp. Emirjana Sako nuk është kryetare bashkie, është një drejtoreshë që jep llogari. Kjo është një simptomë e një sistemi të degjeneruar deri në nivelin lokal.”

Ndërsa, gazetari Leonidha Musai duke raportuar nga bashkia e qytetit u shpreh se disa zona kyç janë pastruar, por lagjet periferike mbeten ende në gjendje të rënduar. Sipas tij, do të duhen të paktën 3-4 ditë për ta rikthyer qytetin në normalitet.

Për ekonomistin Panajot Sako pyetja që duhet ngritur është se çfarë ka bërë bashkia me paratë që vijnë nga vjelja e taksave të qytetarëve nëse nuk sigurohet një shërbim i tillë parësor si pastrimi i qytetit.

Megjithatë, për deputetin Oerd Bylykbashi, situata është e qëllimshme. Duke cituar relacionin e Këshillit Bashkiak, ai thotë se tre opsione për landfill-e u refuzuan nga pushteti qendror “pa arsye”.

“Pse të refuzohet një zgjidhje që kushton 5 herë më pak nga kjo që u është ofruar qytetarëve sot? Një nga opsionet ishte 11 milionë euro tjetri 5 milionë euro dhe Sharra 51 milionë euro pa TVSH. Së pari refuzohen të gjitha opsionet, ata të bashkisë se kuptojnë pse, nuk na dhanë as para, as vendime morën. I çojnë nga Tirana, nga ministria…tre opsione, ia mohojnë opsionet e mëparshme. Një opsion ishte 52 milionë euro, një 40 milionë euro dhe një 57 milionë euro. Dhe, Sharra del më i lirë se këto, por ishte sa pesëfishi. Sharra tani duket më i liri.”

Më 10 qershor, këshilli bashkiak në Durrës vendosi që të miratojë, skenari numër dy që konsiston që Bashkia Durrës duhet të paguajë 5.5 milionë euro në vit për katër vite, kurse pjesën tjetër do ta subvencionojë ministria e Financave. s.b/abcnews.al/