Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dalfino, simboli i pritjes bareze: Nga “Vlora” te shqiptarët e integruar në Bari

schedule22:26 - 16 Shtator, 2026

schedule 22:26 - 16 Shtator, 2026

35 vjet më parë, Bari u përball me një nga momentet më të jashtëzakonshme të historisë së tij.

Më 8 gusht 1991, në portin e qytetit mbërriti anija “Vlora”, me afro 20 mijë shqiptarë në bord.

Ata nuk sollën me vete vetëm dëshpërimin e një vendi që po përjetonte ndryshime të mëdha. Sollën shpresën për një jetë tjetër, në një vend që e shihnin nga përtej Adriatikut si portën e Perëndimit.



Dhe në atë ditë të jashtëzakonshme, një emër u bë simbol i zgjedhjes për të pritur dhe jo për të kthyer pas: Enrico Dalfino.Kryetari i Bashkisë së Barit mori një vendim që do ta vendoste përgjithmonë emrin e tij në historinë e marrëdhënies mes shqiptarëve dhe qytetit.

Ai zgjodhi të mos i trajtonte mijëra njerëzit e “Vlorës” vetëm si një krizë për t’u menaxhuar. Zgjodhi t’i shihte si njerëz. Një vendim human që e vuri përballë kritikave dhe sulmeve politike, deri edhe nga presidenti italian Francesco Cossiga. Por Dalfino nuk ishte vetëm. Pas tij ishte edhe Bari. Qytetarët barezë që u afruan, që ofruan ushqim, ujë dhe ndihmë, që u përballën me një situatë të panjohur dhe, në vend të indiferencës, treguan solidaritet.

Prandaj, 8 gushti nuk është vetëm historia e një kryetari bashkie. Është historia e një qyteti. Dhe Dalfino mbetet simboli i asaj pritjeje bareze që, 35 vjet më vonë, ka marrë një tjetër kuptim. Sepse shqiptarët që dikur zbritën nga “Vlora” nuk janë më vetëm ata njerëz që prisnin në port. Sot ata janë pjesë e Barit. Punojnë, studiojnë, kanë familjet e tyre, kanë ndërtuar jetën e tyre dhe janë bërë pjesë e shoqërisë italiane. Janë shqiptarët e integruar në Bari.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kjo histori duhet treguar edhe nga ata që e kanë trashëguar kujtimin e Dalfino-s. Për herë të parë, për emisionin tone, flasin e bija e Enrico Dalfino-s dhe e ëma e tij.

Ato sjellin në ekran jo vetëm figurën publike të kryetarit të Bashkisë së Barit, por edhe njeriun që qëndronte pas vendimit që u bë pjesë e historisë. Me to flasin edhe autoritete, qytetarë barezë dhe shqiptarë që e përjetuan 8 gushtin 1991 nga këndvështrime krejt të ndryshme.

Dikush ishte në bordin e “Vlorës”. Dikush ishte në port.Dikush ofroi ndihmë. Dikush e jetoi atë ditë si një moment frike dhe pasigurie. Por 35 vjet më pas, kujtesa bashkon të gjitha këto histori. Dhe ndoshta simbolika më e bukur vjen pikërisht në fund.

Bashkia e Barit i jep shtetësinë italiane një të riu shqiptar, në një ceremoni që shënon integrimin dhe përkatësinë e një brezi të ri shqiptarësh në shoqërinë italiane. Por përmes mikrofonit tonë ndodh edhe një tjetër gjest simbolik. Kryetari aktual i Bashkisë së Barit i drejtohet shqiptarëve dhe kërkon, simbolikisht, edhe ai shtetësinë shqiptare.

Një fjali me peshë, sepse nëse 35 vjet më parë shqiptarët kërkonin një vend në Bari, sot vetë Bari duket se kërkon një vend në zemrën e Shqipërisë. Një shqiptar merr shtetësinë italiane. Kryetari i Barit kërkon simbolikisht shtetësinë shqiptare. Dy gjeste që nuk kanë nevojë për dokumente.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!