“Covid-19 nuk do të zhduket asnjëherë”, Alimehmeti: Do hyjë në familjen e gripit të zakonshëm, nuk duhet të alarmohemi

schedule11:41 - 5 Korrik, 2022

schedule 11:41 - 5 Korrik, 2022

Në ditët e fundit kemi parë një rritje të rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë. Madje javën e fundit janë rikthyer dhe vdekjet.

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti i ftuar në “Abc Live”, në Abc u shpreh se nuk do të ketë rikthim të masave drastike kundër Covid-19. Ai shtoi se nuk duhet të alarmohemi, pasi çdo valë e re është në rënie.

Alimehmeti: Pyetja është për vjeshtën. Ne tani jemi në kushtet e një imuniteti. Ka shumë persona që kanë kaluar 1 apo 2 herë sëmundjen në mënyrë natyrore, shumë persona janë vaksinuar. Nuk jemi në të njëjtat kushte që kemi qenë para një viti, kur na gjeti të papërgatitur. Imuniteti natyror është i fuqishëm, mbron goxha, por nuk mbron ndaj riinfektimit. Por po ta vini re çdo valë është më e ulët, valë pas vale kemi rënie.

Mjeku theksoi se virusi nuk do të zhduket asnjëherë. Ai do të hyjë ne familjen e madhe të gripit të zakonshëm.

Alimehmeti: Ky nuk është një virus që do zhduket, nuk e zhdukim dot. Ky si virus e ka përfundimin tek futja në të ardhmen në familjen e atyre viruseve që i quajmë të gjithë grip. Pra ne nuk i vendosim një emër këtyre, por hyjnë në gripin e zakonshëm. Por është një tufë me viruse në familjen e gripit te zakonshëm, këtu do ta ketë shtëpinë. Pyetja është se kur do ndodhë kjo? Këtë nuk mund ta themi ende, por shohim që valë pas vale po bie. Një gjë është e rëndësishme, ne nuk jemi më në periudhë emergjence. Asnjë vend i botës nuk është në emergjencë.

/Abcnews.al/