Shqiptarët që u nisën drejt Shkupit në mbështetje të studentëve që protestuan për gjuhën shqipe u ndaluan dhe ngadalësuan qëllimisht nga policia e Hristian Mickoskit.
Autobusët me dhjetra studentë nga Tirana u bllokuan fillimisht në kufi dhe më pas u devijuan drejt Kumanovës.
Sipas tyre, skenari ishte i qartë, të mos i lejonin të shkonin në destinacion me qëllim dobësimin e protestës.
Studenti i Drejtesise Dasho Veizaj deklaroi se ai dhe protestues të tjerë u nisën nga Tirana drejt Shkupit me vetëdije se mund të përballeshin me vonesa dhe kontrolle në kufi. Sipas tij, grupi u mbajt për më shumë se një orë nga policia maqedonase me arsyetimin e verifikimeve shtesë, ndërsa më pas u shoqërua nga patrulla policore deri në Gostivar. Veizaj theksoi se, nëse organizohen protesta të tjera, ai dhe pjesëmarrës të tjerë do të rikthehen sërish në Shkup për të mbështetur vazhdimin e tyre.
“Dje jemi nisur nga Tirana në orën 10, me vetëdije që do vonoheshim, ndaj ne u nisëm më përpara. Në kufi jemi vonuar një orë e pak minuta pas tentativave të shumta për të negociuar me policinë. Policia tha se i duhej më shumë kohë për procedurat, ndërkohë që ne kaluam kufirin dhe më pas na u komunikua që duhet të ktheheshim sërish për verifikime. Preteksti ishte që dyshonin se mund të kishim me vete minorenë, ndonëse të gjitha pasaportat u checkuan.
Shqiptarët në policinë maqedonase na kanë ndihmuar të shkojmë më shpejt. Në Gostivar jemi shoqëruar nga një patrullë tjetër, ku mjeti drejtohej nga shqiptarë, ndërkohë kishte edhe 3 maqedonas. Makina ecte më ngadalë që të vonoheshim. Nëse organizohen protesta të tjera, ne do të shkojmë sërish në Shkup, madje do shkojmë dhe të flemë atje, vetëm që protestat mos ndalen.” / abcnews.al/


