Është shumë i ri, por problemet nuk po e lënë të qetë.
Mario Mitaj do të duhet sërish të luftojë me kohën për të qenë I gatshëm që të luajë sërish, pasi u duk se pësoi përsëri një dëmtim.
Mbrojtësi I kombëtares u kthye titullar në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite, në ndeshjen Al Itihad-Al Rijad, dhe u la në fushë për 45 minuta nga trajneri Loran Blan.
Deri këtu gjithçka normale, pasi shqiptari kishte qenë i lënduar dhe kishte humbur 6 ndeshje për këtë arsye.
Gjithsesi, shqetësuese është videoja e publikuar pas ndeshjes ku Mitaj shihet duke ecur duke çaluar në korridorin e stadiumit.
Nga mediat saudite dhe nga klubi nuk ka ndonjë koment, ndërsa problemi duket i ndryshëm nga ai që ka pasur më parë.
Mario mungoi për disa javë për shkak të dëmtimit të muskujve të barkut, ndërsa këtë herë duket që ka diçka në këmbë.
Shumë kokëçarje fizike për një futbollist që është vetëm 21 vjeç dhe që deri në 24 janar të këtij viti nuk ka pasur asnjë ndalesë.
Shpresohet që gjithçka të jetë lehtësisht e kalueshme për një nga më të mirët në kombëtare dhe tek Al Itihad.
Të mos harrojmë se skuadra e tij kryeson bindshëm renditjen në ligën saudite dhe është shumë pranë titullit kampion, duke lënë prapa kampionen në fuqi, Al Hilal./abcnews.al