Koreja e Jugut dhe Turqia kanë nënshkruar të martën një marrëveshje për të shqyrtuar mundësitë e financimit të projekteve energjetike turke, ndërsa Seuli synon të marrë pjesë në ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Turqisë, i planifikuar në Sinop, në bregdetin e Detit të Zi.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Banka e Eksport-Importit e Koresë së Jugut dhe kompania turke Turkey Nuclear Energy Inc., pas bisedimeve mes presidentit koreano-jugor, Lee Jae Myung, dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Seul.
Sipas Ministrisë turke të Energjisë, të dyja institucionet do të shqyrtojnë mundësitë e financimit dhe do të krijojnë një grup të përbashkët pune për shkëmbimin e informacioneve. Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk u bë e ditur shuma e mundshme e financimit.
Turqia ende nuk ka përzgjedhur partnerin për projektin e centralit bërthamor në Sinop.
Presidenti Lee deklaroi se bashkëpunimi për këtë projekt po përparon pa probleme, ndërsa kanë nisur vlerësimet e lokacionit dhe është krijuar një grup i përbashkët pune. Sipas tij, marrëveshja e re e financimit do të mbështesë kompanitë koreano-jugore që synojnë të përfshihen në projektet bërthamore të Turqisë.
Marrëveshja e fundit vjen pas memorandumit për bashkëpunim në fushën bërthamore, të nënshkruar në nëntor të vitit 2025 mes Turkey Nuclear Energy Inc. dhe kompanisë shtetërore koreano-jugore Korea Electric Power Corporation (KEPCO).
Në një intervistë për agjencinë Yonhap, të publikuar të hënën, Erdoğan e përshkroi Korenë e Jugut si një partnere të mundshme për projektin e Sinopit. Ai tha se me KEPCO-n janë realizuar studime paraprake të fizibilitetit, ndërsa vlerësimet teknike dhe ekonomike janë ende në vazhdim.
Sipas tij, para marrjes së vendimit përfundimtar, Ankaraja do të shqyrtojë mënyrat e financimit, kostot e prodhimit të energjisë elektrike dhe përfitimet që projekti mund t’i sjellë ekonomisë turke.
“Po marrim parasysh kontaktet tona me vendet e tjera dhe po shqyrtojmë të gjitha mundësitë, duke u udhëhequr nga interesat tona kombëtare”, deklaroi Erdoğan për Yonhap.


