Byro Politike/ Dhjetori i studentëve 2018

schedule21:25 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 21:25 - 10 Dhjetor, 2018

Në këtë puntatë të emisionit “Byro Politike” nga gazetarja Juli Xhokaxhi u fol për protestën e studentëve dhe vrullin e rinisë shqiptare. Analizë në ditën e gjashtë të protestave për 8 kërkesat të mirqartësuara dhe publikuara që presin realizimin e tyre. Të ftuar ishin: Nikolina Qirjazi studente në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, Kristaq Kajo student në universitetin Bujqësor, Albi Arapi student në universitetin politeknik, gjithashtu Mentor Kikia drejtori i Klan Plus dhe Mark Marku pedagog.

Fillimisht Kikia dhe Marku shprehën mendimin e tij personal për protestën duke treguar se të gjithë studentët meritojnë një mirënjohje nga shoqëria për këtë lëvizje.

Kikia: “Protesta ishte nje gjë që na kishte munguar. Na ishin tharë sytë për të parë një protestë qytetare. Të gjithë meritojnë një mirënjohje të madhe. I mungonte shoqërisë shqiptare një lëvizje e tillë. Prej 30 vitesh mungonte një protestë e dalë nga vetë njerëzit si formë e shprehjes së pushtetit të tyre.”

Marku: “Jashtëzakonisht i impresionuar si ish student i dhjetorit. Pas 28 viteve rikthehet dinjiteti i Shqipërisë.”

Studentët diskutuan për peshën emocionale të protestës.

Nikolina: “Nuk është hera e parë që ne protestojmë. Që në momentin e parë që ka filluar hartimi i ligjit kemi qenë gjithë kohës duke kundërshtuar. Problemet që kemi tani vijnë si pasojë e këtij ligji. Emocioni është i madh sepse u bëmë aq shumë sa zëri ynë do të dëgjohet.”

Ata treguan dhe për arsyet se përse kanë vendosur të qëndrojnë larg politikës në këtë protestë.

“Nuk duhet të kemi qëllime politike sepse organizimi nuk është politik. Për aq kohë sa qëllimet tona janë vetem në procesin mësimor unë e quaj jo politike.”

Pikë e rëndësishme dikutimi ishte dhe fakti se nëse ka pasur dhunë tek studentët dhe presione tek maturantët që duan ti bashkohen kauzës.

“Është tendencë nga forumet rinore që të përçajnë protestën por studentët janë të bashkuar. Masa ka një qëllim, vetëm 8 pikat që kemi parashtruar.”

“Pjesa e gjimnazeve janë kërcënuar për mungesa dhe për pasoja në nota. Në fakultete ka qenë situata më pozitive.”

Ata u shprehën dhe për bashkimin me fakultetet e rretheve të tjera dhe çfarë do të ndodhte nësë ulen dhe bisedojnë me Kryeministrin.

“Dimë që të premten u bashkua Kukësi, Elbasani dhe sot Velipoja. Nesër do të jetë kulmi i protestës dhe presim të bashkohen dhe universitete të tjera. Do ketë dhe bashkime dhe organizime. Ka arritur në një nivel që të gjithë studentët janë ndërgjegjësuar.”

“Ne nuk kemi përfaqësi, nuk përfaqësohemi nga askush. Kemi zgjedhur të dialogojmë nëpërmjet letrave. Kemi bërë kërkesat, të cilat i janë dërguar minstrisë, nëpërmjet këtij dialogu presim një përgjigje. Në 2015-n kemi qenë gjithë kohës në protestë dhe askush nuk na pyeti. Tani ne e kemi bërë dialogun dhe kërkojmë zbatim.”

Kikia dhe Marku u dhanë këshillat e tyre studentëve duke u rikujtuar se protesta sot është pushtet.

Kika: “Kjo protestë të mos jetë thjesht një tubim, tashmë kjo protestë e ka fituar autoritetin e pushtetit. Kryeministri hapi dyert dhe tha hajdeni të flasim. Kjo ndodhi sepse protesta sot është një pushtet. Mendoj se keni një përgjegjësi që nuk e kuptoni. Kjo protestë do të krijojë precedentin e pushtetit tek populli. Do isha i të njëjtit mendim edhe sikur të përdoreshin gurë në protestë nëse do e dojë qëllimi diçka të tillë. Nëse rrëzohet qeveria, tjetra do matej dy herë kur të bëjë veprime që mund të bien ndesh me interesat e popullit. Nuk është e trembur vetëm qeveria, por edhe opozita.”

Marku: “Më pëlqen fakti që e mbajnë protestën brenda vetes sepse kanë disa qëllime dhe po realizojnë shqetësime konkrete. Ajo ç’ka është pagë simbolike për të tjerët, për studentët është paga e familjes për një vit. Bravo që po zgjidhin një problem të tyrin konkret. Ka një keqkuptim që duan t’ja vendosin universitetit këto. Nuk asnjë arsye që të paguajnë provimet pasi nuk ka shpenzim shtesë për to. Ata po dialogojnë me shoqërinë. Po kërkojnë diçka që ua kan mohuar. Atë që keni të drejtë mos ia kërkoni si favor qeverisë. Këta po rithemelojnë kontratën me qeverinë shqiptare.”

Studenti: “Unë besoj se kemi treguar se jemi të aftë si numër me fjalë dhe mendoj se vezët që janë hedhur janë bërë nga 3 elemete që i kanë bërë për të nxitur turmën dhe jo nga studentët. Forca e studentëve tregohet me fjalë.”

Kikia i pyeti studentët çfarë do të ndodhtë nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre dhe reagimet e mëtejshme që studentët do të kenë.

“Nëse nuk pranohen kërkesat, flas personalisht, nuk jam për një përshkallzim, por duhet të vazhdojmë më tej.”

“Nëse zgjedhim përfaqësi do të jetë e lehtë për ta kompromentuar. Që nga fillimi ka qenë thirrja “jo politika”. Kanë qenë forumet rinore që kanë dashur të dalin si organizueset. Por pikënisja ka qenë tek Fakultetit i Arkitekturës.”

Të pyetur nga gazetarja Xhokaxhi se si mund të ndalohen përçarësit nga forumet rinore, studentët treguan se ata do të përpiqen që të mos i bëjnë protagonistë.

“Ata janë studentë si ne, qe kanë të drejtë të protestojnë. Mundohemi qe ata të mos jenë protagonistë në mënyrë që të mos prishet kjo protestë.”

Gjithashtu ata reaguan ndaj dialogut të Kryeministrit Rama ditën e sotme dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

“Nëse qeveria është e aftë që të nxjerrë një VKM dhe ta rrëzojë kaq shpejt atëherë është po aq e aftë që të ulë tarifat e universiteteve.”

“Një pjesë e kërkesave janë afatgjata, por nëse nje qeveri mashtron sudentët do të jenë përsëri në shesh.”

“Ai ishte monolog i dështuar i një kryeministri. Të gjithë e dimë se në çfarë gjendje është arsimi. Në kanalin e tij kishte komnetne të përsëritura nga militantë të partisë. Çfarë dialogu është ai?…”

Në fund ata i bënë thirje qytetarëve që ti bashkohen protestës së nesërme.

“Ftojmë të gjithë në protestë të jenë me ne. Jemi pa parti, pa lidhje me forume. Ju lutem na mbështesni…”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!