“Butrinti”, Balla-Berishës: Asnjë nga ju s’ka hallin e Parkut, do ta çosh te Likja ta kthejë dekretin mbrapsht

schedule17:53 - 23 Maj, 2022

schedule 17:53 - 23 Maj, 2022

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë debatuar në Kuvend për çështjen e Parkut Kombëtar të Butrintit. Duke u nisur nga fakti që Berisha është shpallur “non grata” para një viti nga SHBA, Balla tha se ish-kryeministri do të dalë kundër çdo projekti të mbështetur nga SHBA-të.

Balla solli po ashtu në vëmendje se fondi ka ardhur në Shqipëri në kohën kur vetë Berisha ishte në pushtet dhe “sot nuk bën pasi ka emërtesën amerikan”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së iu drejtua deputetëve të opozitës duke u thënë që duhej të kishin ndjekur logjikën politike të votës, duke marrë parasysh se të dielën lideri historik i demokratëve u zgjodh sërish në krye të partisë.

Po ashtu, Balla e siguroi Berishën se edhe nëse kreu i shtetit Ilir Meta do ta kthejë dekretin për Butrintin, mazhoranca do ta votojë sërish në Kuvend pasi votat i ka.

“Të ngatërrosh Ramsarin e të thuash që te kjo zona do ndërtohen vila, zot, mend kanë ikur por gjeji ku kanë shkuar. As në A3 nuk ndërtohet. Një gjë është konkluzioni i këtij diturimi. Asnjë nga ju nuk keni pasur merakun e Butrintit. Me vjen keq për një pjesë të sallës së opozitës, që u pengmorët nga “nongrata” e madhe e PD. Sepse e nxori kokën sot, e foli i fundit. Iu turr fondit amerikan. Kur unë ju thashë para dy muajsh, sa të vijë kontrata e radhës me një kompani amerikane, do dilni kundra. E keni gabim, sepse fondi është shqiptar. Fondi ka ardhur në Shqipëri kur parafolësi ishte në pushtet, është lartësuar kur zotëria ishte kryeministër. Kurse sot nuk bën më sepse ka emërtesën amerikan. Po të kishte emërtesë tjetër s’do ishte kundra. Po ju të tjerët pse i shkuat pas. Pse ratë pre e presionit. Kur duhej të ndiqnit logjikën politike të votës.  Fondi po bën një punë të shkëlqyer. Koha do të tregojë që investimet që do të bëhen sipas kontratës…Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë pronë e shtetit shqiptar. Ai do të administrohet nga një fondacion i posaçëm…Kurrë SHBA-të nuk janë përfshirë në një çështje që nuk ka qenë në favor të shqiptarëve…

Fondacioni është e mira e duhur sepse ju nuk e dini që kur ishte zotëria në pushtet nisi të privatizonte kalatë e kështjellat, u njohu pronarët. E para ju s’keni mundësi të pengoni asgjë, 74 votat janë atje, është miratuar marrëveshja. Jam e sigurt që do t’i bëni thirrje aleatit tuaj ta kthejë mbrapsht. Sa ta kthejë baba Likja, do mbledhim Kuvendin do ta kthejmë pas. Se nuk kemi kohë për të humbur.”

Si përgjigje, Berisha i tha Ballës që nëse mendon se “duke përdorur Amerikën u bë amerikan”, e ka gabim.

“Të përdorësh Amerikën për të justifikuar vjedhjet. Të përdorësh për të shkelmuar ligjet, për të ndaluar votë e lirë. Të përdorësh Amerikën për të maskuar me termin dhuratë pallate të panumërta nuk ka fyerje më të rëndë sesa për Amerikën e parimeve dhe votës së lirë. Për Amerikën që qëndron në mbrojtje të paqes dhe vlerave, pra ti je larg nga këto parimet paktën vite dritë. Dhe ti mendon se duke përdorur Amerikën, u bëre amerikan. Apo se duke turpëruar… E dini ju që turpëroni dhe shqiptarë dhe amerikanët me atë bagazh që ke. Kur del këtu mos fol për Amerikën, por Sorosin, fol për takimin që të organizohet për konferencën e 100 vjetorit.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!