Burri bleu kobran më helmuese në botë për të vrarë gruan: Si u zbulua hap pas hapi nga hetuesit

schedule10:08 - 22 Nëntor, 2021

schedule 10:08 - 22 Nëntor, 2021

Javën e kaluar, një burri indian u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij.  Në prill të vitit të kaluar, 28-vjeçari Suraj Kumar pagoi 7,000 rupi për të blerë një kobër, një nga gjarpërinjtë më helmues në botë, shkruan BBC

Suraj shpoi një vrimë në një enë plastike, e futi kobrën brenda dhe e çoi në shtëpi. Trembëdhjetë ditë më vonë, ai e futi enën në një qese dhe e çoi në shtëpinë e vjehrrit të tij, rreth 44 km larg, ku gruaja e tij Uthra po shërohej nga një kafshim misterioz i gjarprit.

Suraj dhe Uthra ishin takuar dy vite më pare. Babai i Suraj ishte një shofer dhe nëna e tij një shtëpiake. Uthra, e cila ishte tre vite më e vogël se Suraj dhe kishte vështirësi në të mësuar, vinte nga një familje shumë më e pasur – babai i saj ishte një tregtar  dhe nëna e saj ishte një drejtoreshë shkolle në pension, raporton abcnews.al.

Kur çifti u martua, Suraj pranoi një pajë nga prindërit e Uthra prej 768 gramë ar (me vlerë rreth 32,000 dollarë), dhe 400,000 rupi. Ai gjithashtu merrte 8,000 rupi në muaj nga prindërit e saj “për t’u kujdesur për vajzën e tyre”, sipas hetuesve. Uthra u kthye në shtëpinë e prindërve të saj pasi doli nga spitali, ku u trajtua për kafshimin e gjarprit. Ajo ishte kafshuar nga një nepërkë, raporton abcnews.al

Në 6 maj, Uthra ishte ende duke marrë veten, kur ajo piu një gotë me lëng frutash nga Suraj, në të cilën kishte hedhur qetësues.  Kur atë e zuri gjumi, Suraj nxori enën dhe e hodhi gjarprin pesë metra larg gruas së tij. Por në vend që ta sulmonte, gjarpri u largua. Suraj e mori atë dhe e hodhi sërish sipër Uthra, por përsëri u largua.

Suraj u përpoq për herë të tretë, duke e mbajtur kobrën me dorë dhe duke e drejtuar nga gruaja e tij. Kobra e zemëruar, duke përdorur dhëmbët në pjesën e përparme të gojës, e kafshoi atë dy herë. Kur nëna e Uthrës hyri në dhomë të nesërmen në mëngjes, ajo i tha policisë se pa vajzën e saj të shtrirë në shtrat me “gojën e hapur dhe dorën e majtë të varur në njërën anë”.

Ajo tha se Suraj ishte gjithashtu në dhomë.

“Pse nuk e kontrollove nëse ajo ishte zgjuar?” pyeti dhëndrin e saj.

“Nuk doja ta prishja gjumin e saj,” i tha Suraj.

Familja e dërgoi Uthrën në spital, ku mjekët e shpallën atë të vdekur nga helmimi dhe më pas lajmëruan policinë. Pas denoncimit  nga prindërit e Uthrës, policia arrestoi Suraj më 24 maj në lidhje me vdekjen e pazakontë të gruas së tij. Pas një hetimi 78-ditor dhe akuza në më shumë se 1.000 faqe, filloi gjyqi.

Më shumë se 90 njerëz, përfshirë herpetologë dhe mjekë, dëshmuan. Hetuesit thanë se Suraj kishte blerë edhe nepërkën, e cila e kishte kafshuar Uthrën muaj para se ajo të vdiste. Suresh, kapës i gjarpërinjve, rrëfeu se i kishte shitur atij të dy gjarpërinjtë. Një herpetolog tha përpara gjykatës se nuk kishte shumë gjasa që një kobër të kishte hyrë në dhomën e gjumit të çiftit përmes dritares.

Skena e krimit  u rindërtua, duke përdorur një kobër të gjallë, një person që mbante gjarprin dhe viktimën në shtrat.  Hetuesit thonë se Suraj kishte komplotuar vrasjen që nga lindja e djalit të tij, Dhruv, në vitin 2019.

Ai madje kishte pare video të gjarpërinjve helmues për një kohë shumë të gjatë. Suraj ishte i vendosur të vriste gruan e tij, të vidhte paratë e saj dhe të martohej me një grua tjetër, thanë hetuesit.

“Ai e planifikoi atë me përpikëri dhe pati sukses në përpjekjen e tretë,” tha Apukuttan Ashok, oficeri kryesor i hetimit të policisë. Prokurori publik Mohanraj Gopalakrishnan e quajti rastin një “moment historik në hetimet e policisë në Indi, kur prokurorët mund të provonin me vendosmëri se një kafshë ishte përdorur si armë vrasjeje”.

Suraj u dënua me burgim të përjetshëm  dhe sipas autoriteteve  nuk tregoi aspak keqardhje.

/abcnews.al