Burgu i Rrogozhinës në alarm: Infektohet me koronavirus juristi, vetëkarantinohet drejtori dhe 2 policë

schedule13:40 - 3 Prill, 2020

schedule 13:40 - 3 Prill, 2020

Një jurist i burgut të Rrogozhinës është infektuar me koronavirus. Lajmi bëhet me dije për abcnews.al nga gazetari Aldo Kozarja.

Mësohet se prej dy ditësh të dënuarit janë përfshirë nga paniku, për shkak të kontakteve që kanë pasur me juristin e këtij institucioni.

Ndërkaq, zyra e tij është dezinfektuar ditën e djeshme. Po ashtu është vetëkarantinuar edhe drejtori i burgut, për shkak se udhëtonte në makinë me juristin. Po ashtu janë izoluar edhe dy policë, për shkak të kontakteve të shumta me juristin.

Ky i fundit është banues në Tiranë. Pas konfirmimit si pozitiv me Covid-19 të juristit, të dënuarit janë të alarmuar. Ndërkohë institucionet e shëndetësisë kanë filluar kontrollet, duke bërë matjen e temperaturës për të burgosurit.

Gazetari Aldo Kozaraja, raporton po ashtu se administratës së burgut u është bërë të gjithëve testi dhe rezulton se është konfirmuar pozitiv vetëm juristi. Ndërkohë burime jozyrtare për gazetarin bëjnë me dije se janë të infektuar edhe drejtori dhe dy policët.

Sakaq, të dënuarit janë revoltuar, ndërsa mësohet se sot u është ndaluar ajrimi. Gjatë paradites ka pasur lirime të personave të cilët do të lënë burgun për 3 muaj, sipas aktit normativ të qeverisë. Bëhet fjalë për personat që vuajnë nga  sëmundje kronike dhe janë të rrezikuar nga Covid-19.

/abcnews.al