Fieri ka çelur zyrtarisht sezonin turistik. Festës, e cila do të vijojë gjatë të gjithë fundjavës në bregdetin e Darëzezës, iu bashkuan qindra vizitorë. Muzikë live, gara me kuaj, aktivitete sportive dhe ndeshje boksi u organizuan me këtë rast.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku, tha se qeveria dhe pushteti vendor kanë bashkëpunuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për pushuesit.
Në të gjithë vijën bregdetare të Fierit do të jenë funksionale 6 plazhe publike, të monitoruara edhe nga roje bregdetare. Pushuesit që zgjodhën Darëzezën këtë fundjavë vlerësojnë pastërtinë e rërës dhe çmimet konkurruese.
Sezonin veror e çeli zyrtarisht edhe Durrësi. Aktivitetet e organizuara me këtë rast nisën me garën tradicionale të notit në pishinën publike, ku morën pjesë sportistë dhe të rinj.
Me synimin për të promovuar qytetin dhe për të tërhequr sa më shumë vizitorë këtë verë, qyteti do të ofrojë një kombinim më të pasur mes turizmit bregdetar dhe atij kulturor, falë hapjes së dy muzeve: atij arkeologjik dhe Shtëpisë Muze “Aleksandër Moisiu”.
Përgatitjet për çeljen e sezonit turistik veror po finalizohen edhe në Shëngjin. Pastrimi i hapësirave publike mbetet prioritet. Paralelisht po ndërhyhet në infrastrukturë, organizimin e qarkullimit dhe menaxhimin e territorit.
Zyrtarisht, sezoni turistik në Shëngjin pritet të hapet këtë fundjavë.
Synimi është që këtë verë të promovohet jo vetëm bregdeti, por edhe pasuritë historike, kulturore dhe natyrore të gjithë zonës./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!