“Bombat” e El Chekës, reagojnë Ali Ahmeti dhe Zaev

schedule16:45 - 17 Korrik, 2019

schedule 16:45 - 17 Korrik, 2019

“Bombat” e El Chekës që po publikohen nëpër rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, janë komentuar edhe nga partnerët e koalicionit BDI dhe LSDM. Ahmeti shtroi pyetjen se përse “bombat” publikohen vetëm për BDI-në e jo për tjerët, ndërsa Kryeministri Zaev publikisht sfidoi El Chekën që të publikojë material edhe për të.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një aktiviteti paritak në Komunën e Sarajit, duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, në veçanti publikimin e të ashtuquajturave “bomba” të El Chekës, ka theksuar se bisedat e përgjuara private që po publikohen nëpër rrjetet sociale janë propagandë që për synim kanë të njollosin imazhin e BDI-së. Duke bërë thirrje që të hetohet e gjithë veprimtaria e partisë tha se pas përgjimeve qëndrojnë shërbimet e huaja sekrete.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Vetëm të BDI-së paskan folur biseda private? Ku janë bisedat e tjera? Unë mendoj që ky milet nuk han bar dhe bën krahasime, po mirë vetëm për këta paska folur? Të tjerët paskan qenë engjëj?

Lidhur me “bombat” është pyetur edhe Kryeministri Zoran Zaev. Lideri I BDI-së Ali Ahmeti imponoi çështjen se përse “bombat” publikohen vetëm për BDI-në e jo për partitë tjera në pushtet. Kryeministri tha se veprimet e El Chekës janë të jashtëligjshme dhe se do të ketë përgjegjësi. Zaev drejtpërsëdrejti sfidoi El Chekën që nëse ka ndonjë “bombë” për të menjëherë ta publikojë.

 Zoran Zaev: Nëse keni ndonjë telefon, jepjani Cheka, ti paraqitemi edhe ta pyesim, përse vetëm për Ahmetin publikon e jo edhe për mua. Ja publikisht e them. Le të publikojë edhe për mua. Unë jam transparent por besoj se serioziteti duhet të jetë këtu. Le të publikon për secilin, por duhet ta dijë se ka përgjegjësi. Ka ligj dhe ka përgjegjësi penale për këtë. Ky njeri nuk mban llogari për privatësinë dhe kurdoherë do të përgjigjet për këtë.

Ndaj këtyre prononcimeve ka reaguar përmes Facebooku-t edhe El Cheka, duke thënë se po dështon lufta ndaj krimit dhe puna e PSP-së. Ai me mesazh drejtuar Ahmetit dhe Zaevit se paska shkelur ligjet e një vendi që liron kriminelët dhe mban në burg shqiptarët./ABC News Albania 24/7