Biletat për fëmijët e vegjël, PD reagon kundër Erion Veliaj

schedule19:55 - 27 Shtator, 2018

schedule 19:55 - 27 Shtator, 2018

Zëdhënësja e partisë Demokratike Ina Zhupa ka akuzuar kryebashkiakun Veliaj se mashtroi shqiptarët kur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak deklaroi se kur Lulzim Basha ishte ministër Transportesh bëri ligj që fëmijët të paguanin biletë autobusi.

Ligji, thekson Zhupa, respekton autonominë e bashkive për t’u siguruar banorëve transport brenda qyteteve dhe fëmijëve transportin falas dhe se bashkia Tiranë në kohën kur e drejtonte Lulzim Basha, jo vetëm pa një rritje të numrit të linjave urbane, por fëmijët nuk paguanin dhe bileta e autobusit për qytetarët e tjerë nuk u rrit.

Kjo ndryshoi kur kryebashkiak u bë Erjon Veliaj, thekson selia blu, i cili jo vetëm rriti çmimin e biletës së autobusit, por tashmë po mbështet fushatën që kërkon vendosjen e biletave të autobusit për fëmijët.

Erjon Veliaj gënjeu gjithashtu sipas demokratëve, kur deklaroi se Lulzim Basha ka dhënë leje ndërtimi për komplekse pallatesh tek stacioni Multimodal. Projekti i Bashës jo vetëm nuk parashikonte asnjë metër katror ndërtim pallatesh, por ndryshe nga Veliaj, thekson Zhupa, kryedemokrati Basha i merrte koncesionarit 15% taksë për buxhetin e bashkisë, ndryshe nga 5% që sot i merr Erion Veliaj./abcnews.al