Bie numri i fëmijëve në shkolla, ulet raporti nxënës-mësues

schedule16:16 - 12 Prill, 2022

schedule 16:16 - 12 Prill, 2022

Nga Ajgena Korbi 

Shkollat private lënë pas ato publike. Kjo sa i përket raportit nxënës për mësues. Sa më i ulët të jetë ky numër, aq më me cilësi mund të zhvillohet një orë mësimi.

Nëse në një shkollë fillore private sipas Institutit të Statistikave mesatarisht një mësues mëson 14.6 nxënës  në një shkollë publike ai mëson 16.1.

Tendenca është e njëjtë dhe në ciklin 9- vjeçar dhe të mesëm. Në të parin  ky raport në  privat është 7.3 dhe në publik është 8.5.

Diferenca është më e madhe në gjimnaze. Në shkollat e mesme private raporti mes mësuesve dhe nxënësve është 8.3 ndërsa në ato publike 12.8.

Megjithkëtë, në sistemin arsimor publik raporti ka njohur përmirësim vitin e fundit.

Psh. katër vjet më parë në shkollat fillore INSTAT llogariste 17.8 nxënës për mësues, në ato 9 vjeçare  10.2 dhe në shkollat e mesme 13.8.

Ky përmirësim më shumë sesa nga  rritja e numrit të arsimtarëve nëpër shkolla ka ardhur për shkak të rënies së numrit të nxënësve që ndjekin shkollën.

Këtë vit shkollor  në arsimin parauniversitar u regjistruan rreth 453 mijë fëmijë  duke shënuar një ulje prej 2,5 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21.

Pavarësisht panoramës më të mirë se katër vjet më parë Shqipëria vijon të ketë raporte të larta të nxënësve për mësues krahasuar me shtete europiane.

Në vendet e Bashkimit Europiane sipas EUROSTAT mesatarja e nxënësve për mësues është 13.6.