Biden i shpreh Netanyahut shqetësimin për demokracinë në Izrael

schedule22:58 - 20 Shtator, 2023

schedule 22:58 - 20 Shtator, 2023

Joe Biden “përsëriti shqetësimin e tij se çdo ndryshim në sistemin demokratik izraelit duhet të bëhet me sa më shumë konsensus të jetë e mundur” gjatë një takimi të mërkurën me kryeministrin Benjamin Netanyahu, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Ky është një aludim i qartë për reformën e sistemit gjyqësor, të cilën qeveria izraelite e ka nisur, duke ndezur një lëvizje masive proteste.

Presidenti amerikan megjithatë, sipas Shtëpisë së Bardhë, e ftoi liderin izraelit “në Uashington para fundit të vitit”, duke treguar kështu një vullnet për të qetësuar marrëdhëniet shumë të tensionuara mes dy burrave.

Presidenti 80-vjeçar paralajmëroi gjithashtu kundër marrjes së masave të reja të njëanshme nga palestinezët si dhe izraelitët, ndërkohë që Uashingtoni kundërshton politikën e Netanyahut për aktivitetin e vendbanimeve me krijimin e vendbanimeve të reja hebreje, kryesisht në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Netanyahu, i cili u kthye në pushtet në fund të vitit 2022, nuk është pritur ende në Zyrën Ovale, siç është zakon me kryeministrat izraelitë, gjë që po interpretohet si një shenjë mosbesimi nga ana e administratës Biden. Takimi i tyre i parë që kur Netanyahu mori kryeministër të vendit të tij u zhvillua sot në ambientin më neutral të një hoteli në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.