Beteja titulli dhe mbijetese, java e parafundit e Superiores është “zjarr”

schedule08:19 - 21 Maj, 2021

schedule 08:19 - 21 Maj, 2021

Beteja të vërteta, në fushë e blertë sigurisht. Java e parafundit e Superiores mund të vendosë shumë gjëra dhe të gjithë presin orën 17:00. Në “Air Albania” Partizani pret Vllazninë dhe luhet një duel titulli. “Demat” me një fitore prekin me një dorë trofeun.

Shkodranët nga ana tjetër nuk vijnë në kryeqytet për shëtitje. Ata duan ta vazhdojnë ëndrrën, sikurse edhe Laçi që pret sot Teutën. Kurbinasit do tentojnë tre pikët dhe shpresojnë që të ndalet Partizani, në mënyrë që të luajnë një tjetër finale në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Teuta gjithashtu do të njëjtën gjë. Sot ka finale edhe për mbijetesën, me Kastriotin që pret Bylisin dhe me një fitore i hedh ballshiotët në Kategorinë e Parë. Skënderbeu sot ka mundësinë gjithashtu të shpëtojë, pasi pret Kukësin.

Tre pikët janë shumë të rëndësishme për korçarët, por verilindorët nga ana tjetër duhen vlerësuar edhe pse nuk kanë ndonjë objektiv. Po sot luhet edhe Apolonia-Tirana, me bardheblutë që do kërkojnë tre pikët me shpresën e ndonjë mrekullie për Europën. /abcnews.al