Fiter Bajrami në Tiranë, besimtarët urime për unitet, paqe e lumturi

schedule08:38 - 4 Qershor, 2019

schedule 08:38 - 4 Qershor, 2019

Besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin. Falja e Namazit u bë në sheshin “Skënderbej” me mesazhe paqeje e solidariteti.

Besimtarët myslimanë në mbarë botën festuan gjatë së martës Fiter Bajramin. Ceremonia e kësaj feste në kryeqytet edhe këtë vit u mbajt në sheshin “Skënderbej” ku besimtarët vendas e të huaj kanë falur namazin e mëngjesit dhe kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe mirësi.

Edhe kreu i komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu në fjalën e tij theksoi se muaji i shenjtë i Ramazanit dha mesazhin që të gjithë jemi vëllezër dhe të barabartë. Edhe vetë besimtarët uruan në këtë ditë të shenjtë për më shumë solidaritet dhe harmoni

Me rastin e Fiter Bajramit, Komuniteti Mysliman Shqiptar priti përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, politikanë dhe përfaqësues të selive diplomatike që ndodhen në Tiranë.

Fiter Bajrami vjen si përmbushje e muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit besimtarët privohen nga ushqimi dhe uji që prej lindjes së diellit e deri në perëndim të tij, një sakrificë që dëshmon besimin ndaj zotit.

Mesazhet e kësaj dite janë për unitet në familje e me njëri tjetrin e solidaritet për njerëzit në nevojë. Festa vazhdoi me drekën në familje dhe vizitat tek të afërmit e miqtë, me urimet për lumturi, paqe e begati./ABC News Albania 24/7