VORË- Një ditë pasi sfidoi Ramën, në një përballje rrjedhjeje, Berisha deklaroi se kryesocialisti po aktron me deklaratat, kurse gafat e tij janë origjinale, prej avantazhit që ka nga mosha dhe eksperienca.
“Pra, Edi Rama, nuk është klloun. Jo! Por, për hir të karriges së tij, bën kllounin dhe kaluar kllounit. I ka humbur mendja. I lejon vetes gjëra që nuk mund t’ja lejojë kurrë një njeri normal dhe mendon se me këto do t’u hedhë hi syve, mendon se me këto gjëra, do të budallepsë njerëzit”, tha ai.
Në Vorë, Berisha përmendi me emër fisin e Xhabaftëve. I paralajmëroi të mos përfshihen ne fushatë.
“Këta banditë, dhe dëgjoni ju Xhabaftët, dëgjoni Xhabaftë këtu, dëgjoni këtu. Ju kriminelë, që nga banda e Erion Veliajt, shndërroheni në bandën e atij dhe këtij; mos kërcënoni qytetarët e Vorës, se unë ju jap fjalën e nderit, se vend mbi tokë nuk do të keni për terroristë, për terroristë.”
Kurse banorëve te Kasharit u beri një premtim madhështor.
“Garantoj Kasharin se, në reformën territoriale do jetë një bashki, ndër kryesoret e vendit.”
Në fakt Kashari ka qënë bashki. Dhe bashkiaku i tij i fundit, Besnik Fuçia, u ndoq penalisht për lejet e ndërtimit, që sollën një kaos social dhe një nga lagjet më të keqmenaxhuara të bashkisë së re të Tiranës.
Pra Berisha si kudo, premtoi kthimin mbrapa në kohë, si sukses i të ardhmes, por në këtë miting, e vetmja gjë e re, ishte djali i Fahri Balliut/abcnews.al